Falimenton “Alitalia”, punonjësit refuzuan ristrukturimin

353
Kompania kryesore e fluturimeve ajrore italiane, e zhytur në telashe, do të kërkojë formalisht nisjen e procedurave të falimentimit, pasi punëtorët e saj refuzuan planin e ristrukturimit.
Kompania tha se fluturimet e saj do të vazhdojnë siç janë planifikuar, ndërsa administratorët do të shohin nëse ka mundësi që të ndryshojnë fatin e saj.
Gjatë dekadës së fundit, “Alitalia” ka marrë më shumë se 7 miliardë euro nga shteti për të mbuluar borxhet, por pa mbështetje të mëtejshme, avionët e saj rrezikojnë që të ndalen në mënyrë të përhershme.
Javën e kaluar, punëtorët e kompanisë votuan kundër planit për të shkurtuar vendet e punës dhe pagat, diçka që do t’i siguronte “Alitalia”-s fonde të reja. Plani i ristrukturimit kishte mbështetjen edhe të kompanisë “Tehad” që zotëron 49% të “Alitalia”-s, por pa miratimin e punëtorëve të saj nuk mund të bëhej asgjë.
Duket se fondet nga Roma janë ndërprerë përfundimisht, megjithëse në një sforco finale, qeveria i dha “Alitalia”-s 400 milionë euro për të vazhduar fluturimet, ndërsa kryhet procesi i falimentimit.
Ministri italian i Financave, Pier Carlo Padoan tha se qeveria nuk ka më fonde për “Alitalia”-n, gjë që mbështetet edhe nga publiku i gjerë, pasi shumica e italianëve mendojnë se nuk duhen hedhur më parà në një pus pa fund.
Sigal