Fabrika “Bylmeti” me projekt të trajtimit të ujërave të zeza

487
Në kuadër të projektit të Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini” në bashkëpunim me shtetin e Holandës, në lidhje me trajtimin e mbetjeve industriale, studentë dhe profesorë të kimisë, vizituan fabrikën e produkteve të qumështit “Bylmeti”, në të cilin bëhet trajtimi u ujërave të zeza. Kjo vizitë nga studentët dhe profesorët është në kuadër të seminarit katërditor me temën “Trajtimi dhe menaxhimi i ujërave të ndotura”, në të cilin janë të përfshirë ekspertë të mjedisit nga Holanda, studentë dhe profesorë të Universitetit të Mitrovicës dhe Prishtinës. E gjithë kjo po bëhet në mënyrë që të përgatitet për menaxhimin dhe zbatimin e projekteve të kësaj natyre në të gjithë vendin.
Ushtruesi i detyrës së prorektorit në Universitetin e Mitrovicës, Rifat Morina tha që ky projekt është bilateral dhe lidhë institucione të ndryshme.
Morina: Qëllimi i këtij projekti, trajtimi i ujërave të zeza
“Ky projekt është një bashkëpunim, i Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini” dhe ekspertëve nga Holanda dhe kompanisë “Bylmeti”, është projekt bilateral që lidh Universitetet Publike me biznesin. Qëllimi i projektit është trajtimi dhe menaxhimi i ujërave të zeza dhe kemi ftuar në seminar një ekip të përzier nga UP dhe nga UM, po ashtu në seminar kemi futur dhe inspektorë komunal, zyrtarë nga ministria e mjedisit që merren me trajtimin e ujërave të zeza.” tha Morina. Merita Abdullahu, studente në drejtimin teknologji ushqimore deklaroi që kjo vizitë është një eksperiencë e mirë sepse kanë marrë informata që nuk i kanë pas të njohura më herët.
Abdullahu: Kemi marrë informata të reja
“Sot bashkë me kolegë kemi ardhur në një seminar katërditor që organizohet nga profesorë me emër, është eksperiencë e mirë sepse gjatë këtyre ditëve kemi marrë informata q ë nuk i kemi ditur në lidhje me trajtimin e ujërave të zeza… ne kemi pasur mundësi se qysh shkon një proces prej lëndës së parë deri në produkt final.” tha Abdullahu. Në këtë aktivitet morën pjesë edhe ekspertë të trajtimit të ujërave nga Holanda të cilët u shprehën të kënaqur me ecurinë e procesit të trajtimit të ujërave të zeza.
Sigal