Erdogani dhe antipatia për Internetin

447
Sigal

Edhe në kohët më të mira, qeveria e presidentit turk Rexhep
Tajip Erdogan ka pasur një marrëdhënie të tensionuar me internetin. Ankaraja
vazhdimisht është përpjekur të kufizojë portalet e lajmeve dhe mediat sociale,
si YouTube dhe Twitter gjatë periudhave të tensionit politik, apo thjesht për
të bllokuar informacionin, kur mendon se ai është me përmbajtje fyese. Tradicionalisht,
bllokimet nuk zgjasin shumë dhe nuk kanë ndonjë efekt, pasi shumë njerëz në
Turqi përdorin mjete të tilla si DNS ose Tor për të shmangur kufizimet. Por pas
ngjarjeve të fundit, si sulmi në klubin e natës Reina të Stambollit vrasja e
ambasadorit rus Andrey Karlov, apo përpjekja për grusht shteti në korrik nga
një fraksion i ushtrisë, qëndrimi i qeverisë së Erdoganit ndaj internetit është
ashpërsuar në mënyrë të përhershme. Analistët dhe organizatat e shoqërisë
civile thonë se administrata e Erdoganit ka filluar të veprojë në mënyrë
agresive për të kufizuar internetin si dhe aksesin e telefonisë celulare në
internet. Për herë të parë, ajo nuk po shfaq shenja tërheqjeje. Antipatia e
zotit Erdogan ndaj internetit dhe mediave sociale nuk është e re. “Tani
ekziston një murtajë që quhet Twitter,” tha ai në një tubim të vitit 2013.
“Për mua, media sociale është kërcënimi më i rëndë për shoqërinë!” Zoti
Erdogan e ka quajtur Facebookun “imoral”. Për të, YouTube është
“një forcë gllabëruese”. Ndërkaq, ai ka premtuar se do ta
“zhdukë” Twitterin. “Strategjia e Erdoganit është të demonizojë
mediat sociale”, thotë Zeynep Tufekçi, studiese e ligjit kibernetik në
Universitetin e Karolinës së Veriut. “Kjo është një strategji e nxjerrjes
së mediave sociale jashtë sferës së shenjtë, si përçarje e familjes, si
kërcënim për unitetin dhe si një mjet i huaj që prish strukturën e
shoqërisë,” thotë studiuesja. Departamenti amerikan i Shtetit ka mbajtur
qëndrim kritik ndaj përpjekjeve të reja të autoriteteve turke për të bllokuar
faqe të caktuara interneti apo disa portale dhe media sociale, duke i quajtur
veprime të tilla si një cenim të fjalës së lirë. Dhe në fakt, në të kaluarën,
kufizime të tilla kanë qenë zakonisht jetëshkurtër, duke krijuar vetëm bllokime
të përkohshme.