Erdogan: Turqia e ka vendin në BE

257
Sigal

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha të dielën se Turqia e sheh veten pjesë të Evropës, ndërsa i bëri thirrje Bashkimit Evropian që “të mbajë premtimet” për çështje të tilla si: anëtarësimi i Ankarasë në bllok dhe refugjatët.

Këtë deklaratë ai e dha përpara një takimi të nivelit të lartë të BE që do të mbahet muajin tjetër. Në javët e fundit, anëtarët e BE kanë rritur mundësinë e sanksioneve kundër Turqisë lidhur me misionet e saj të kërkimit të gazit në Mesdheun Lindor.

“Ne gjithmonë e shohim veten pjesë të Evropës. Ne zgjedhim Evropën për aq kohë sa ajo nuk na detyron që të favorizojmë dikë tjetër”, tha Erdogan gjatë një fjalimi virtual në një takim me anëtarët e partisë së tij.

Ai shtoi se BE-ja duhet të mbajë premtimet që i ka dhënë Turqisë për “anëtarësim të plotë dhe për çështjen e refugjatëve. “Le të ndërtojmë një bashkëpunim më të ngushtë dhe më efikas”, theksoi lideri turk.

Turqia aplikoi për anëtarësim në bllok në 1987 dhe katër vjet më parë nënshkroi një marrëveshje me BE për të menaxhuar fluksin e emigrantëve që kanë destinacion Evropën.