Erdogan paralajmëron kurdët: “Referendumi rrezikon të nxisë luftë etnike në rajon”

571
Presidenti turk Erdoan ka paralajmëruar për një “luftë etnike” në Lindjen e Mesme pas referendumit për pavarësinë e Kurdistanit. Sipas kreut të shtetit, vendimi për referendumin ishte i pakonsultuar dhe përbën tradhti nga ana e kurdëve. Erdogan deklaroi se Turqia do të konsiderojë masat ekonomike dhe ushtarake për të mbrojtur vendin kundër çfarëdo kërcënimi.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka paralajmëruar se referendumi në mbështetje të pavarësisë së Kurdistanit rrezikon të nxisë një “luftë etnike” në rajon. Në një fjalim në pallatin presidencial në Ankara, Erdogan ritheksoi Turqia do të përdorë të gjitha mundësitë për t’u mbrojtur e për të garantuar sigurinë. Presidenti gjithashtu përsëriti kërcënimin e tij të një dite më parë për të ndërprerë lidhjen që eksporton naftën e Kurdistanit përgjatë kufirit turk.

“Vendimi për referendum, i marrë pa asnjë konsultim, është tradhti,” u shpreh presidenti Erdogan që gjithashtu shtoi se kurdët do të vdisnin nga uria nëse Turqia do të vendoste mbylljen e kufirit me Irakun verior. Erdogan paralajmëroi se Ankaraja mund të ndërmarrë masa ekonomike dhe ushtarake ndaj Kurdistanit.

8.4 milionë banorë kurdë iu drejtuan kutive të votimit një ditë më parë për të vendosur ndarjen nga Iraku, në një referendum që nuk është njohur nga qeveria qendrore. Pjesëmarrja ka qenë në nivele rreth 72% dhe besohet se 90% e votave të hedhura mbështesin pavarësinë. Kurdët mbetën pa shtet pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane një shekull më parë
Sigal