Erdogan nuk i trembet SHBA-së/ Turqia nuk heq dorë nga blerja e raketave ruse S-400

134
Sigal

Presioni i Shteteve të Bashkuara duket se nuk e ka frikësuar aspak Turqinë, e cila do të vazhdojë me planin e saj për blerjen e sistemeve ruse të mbrojtes S-400.

Në fund të vitit që lamë pas, Uashingtoni i vendosi sanksione Turqisë për këtë blerje me pretekstin se rrezikojnë avionët e saj luftarakë F-35 dhe një gjë e tillë është e papajtueshme për NATO-n.

Megjithatë zgjedhja e Biden si President të SHBA-së, ka bërë që Erdogan të kërkojë përmirësimin e marrëdhënieve dhe propozoi një grup të përbashkët pune.

Në një intervistë me televizionin shtetëror TRT Haber, zëdhënësi i presidencës turke Ibrahim Kalin tha se komentet e ministrit ishin keqkuptuar, por nuk dha hollësira, duke shtuar se me Uashingtonin ishin duke u zhvilluar bisedime për mosmarrëveshjet, por se nuk duhen pritur zgjidhje të shpejta të problemeve.

“Shtetet e Bashkuara kanë thënë deri tani se nuk do të përfshihen në asnjë negociatë mbi këtë çështje (S-400). Turqia nuk do të kthehet pas për sa i përket sistemeve S-400”, tha zoti Kalin.

“Po ta lexojmë tablonë strategjike si duhet, ne mendojmë se mund të bëjmë përparime”, tha ai. “Duke propozuar mënyra zgjidhjeje, ne do të jemi në negociata”, shtoi ai, pa dhënë hollësi.

Nga mesi i vitit 2019, Shtetet e Bashkuara e hoqën Turqinë nga programi i avionëve F-35, ku Ankaraja ishte prodhuese dhe blerëse.

Turqia ka thënë se blerja prej saj e raketave S-400 ishte një domosdoshmëri, pasi ajo nuk kishte alternativa të përshtatshme nga aleatët e NATO-s.

Në një telefonatë javën e kaluar që shënoi kontaktin e parë zyrtar mes aleatëve që kur zoti Biden mori detyrën, zoti Kalin i tha këshilltarit të sigurimit kombëtar të Shteteve të Bashkuara, Jake Sullivan, se mosmarrëveshja për sistemet S-400 duhej të zgjidhej.