Elida & Skënder BUÇPAPAJ/ Demokracia Direkte dhe sistemi politik mbështetur në principin e konsensusit

554
Sigal

Reportazh/ Zvicër gazetarët e APES priten nga Kancelaria Federale Madam Casanova

Është viti i tretë që APES mirëpritet nga Madam Corina Casanova, Kancelaria e Konfederatës Helvetike, e cila për nga rëndësia e institucionit që përfaqëson radhitet bashkë me të shtatë Këshilltarët Federalë. Dhe sa herë që bëhet foto zyrtare e qeverisë zvicerane, ajo është bashkë me ta në foto. Kësaj here tema e takimit kishte të bënte me: “Të drejtat politike në sistemin zviceran të demokracisë direkte”.

APES ishte lajmëruar me kohë për takimin, dhe të paktën një javë përpara aktivitetit ishte dërguar axhenda e vizitës me detajet më të hollësishme, që nga koha kur gazetarët e APES do të merrnin trenin nga Gjeneva, Zürichu, Baseli e deri në kthim.
APES, organizata e vetme në Zvicër e gazetarëve të huaj, shumica rezidentë dhe një pjesë e mirë e natyralizuar, themeluar më 1928, me 120 anëtarë aktivë, përfaqëson mediat nga të gjitha kontinentet e botës me seli në OKB dhe ka një kontakt permanent dhe shumë bashkëpunues me institucionet në Zvicër. Berna mban një komunikim konstant me APES dhe ky komunikim mes tyre është i shkëlqyer. Zvicra ka në fokus imazhin e Konfederatës Helvetike dhe përcjellësit e këtij imazhi, padyshim që janë gazetarët. Sipas programit, e morëm trenin në mëngjes, bashkë me disa nga gazetat e ditës, të cilat mbanin dy lajme kryesore. Lindjen e binjakëve Leo dhe Lenny të çiftit Mirka dhe Roger Federer si dhe vizitën e Presidentit të Zvicrës, njëherësh edhe kryesues i OSBE-së Z.Didier Burkhalter në Moskë. Roger Federer, që për zviceranët është King Roger, kishte lajmëruar që në mbrëmje në Facebook për gëzimin familjar. «Përsëri binjakë, mrekulli». Pas dy binjakeve vajza. Ndërsa rreth vizitës të Burkhalterit, 20 Minuten, gazeta më e lexuar dhe popullore në Zvicër që shpërndahet gratis pranë stacioneve të tramit, busit e kudo – pyeste që në kryetitullin e faqes të parë «A do të jetë Burkhalteri sot Hero në Moskë». Mision i pamundur, paçka se Putini kishte rënë dakord për shtyrjen e referendumit, pretendimit të tij se i kishte tërhequr trupat nga Ukraina, i përgënjeshtronte menjëherë NATO dhe Pentagoni, ndërsa filorusët nuk e shtynë gjithsesi referendumin. Ukraina pritet të votojë më 25 Maj, një votim shumë tw rëndësishëm për demokracinë e këtij vendi. Kriza në Ukrainë u demonstrua me dy qëndrime: qëndrimi rus që ndërhyn me tanke e ushtri dhe qëndrimi Europian me fjalë, por pa pasur fuqi t’ia ndryshojë mendjen Putinit me anë të retorikës.
Në APES ne jemi gazetarë nga e gjithë bota. Midis nesh kemi edhe kemi kolegë rusë e ukrainas. Presidentja e APES, kolegia jonë e shkëlqyer Emilia Nazarenko është nga Ukraina, Juri është rus; në APES po ashtu ka gazetarë edhe nga ITAR-TASS, jo më kot Gjeneva është një nga metropolet e diplomacisë botërore. Ndërkohë shteti zviceran ka ndërmarrë sanksione ndaj Rusisë, duke mos lejuar udhëtimin në Zvicër të një numri zyrtarësh rusë, duke pezulluar negociatat për marrëveshjen e tregtisë së lirë, duke suspenduar eksportin e armatimit nga Rusia, si dhe duke bllokuar pasuritë e presidentit të përmbysur të Ukrainës, Viktor Yanukovich si dhe të ndihmësve të tij në bankat zvicerane.
Takimi në Qendrën e Mediave të Pallatit Federal
Kjo qendër shumë moderne është inauguruar në vitin 2006, si transformim i një ndërtese rikonstruksioni i të cilës ka kushtuar rreth 43 milionë franga zvicerane. Më përpara gazetarët kishin sallën e tyre brenda Parlamentit, pastaj sipas teorisë “Parlamenti për Parlamentarët” u vendos ndarja fizike e deputetëve me gazetarët, që tani e kanë qendrën e tyre shumë pranë Pallatit Federal. Me të gjithë logjistikën e duhur. Ne ju kemi treguar edhe më parë për sallën qendrore në muret e të cilës janë të vizatuar veshë gjigantë. Ne shqiptarëve na kujton proverbin se “edhe muret kanë veshë”, ndërkohë këta veshë hiperbolikë u takojnë pikërisht gazetarëve, të cilët kanë të drejtë të dëgjojnë më tepër se gjithë të tjerët, në emër të opinionit publik, si përfaqësues të pushtetit të katërt, në mbrojtje të shtetit të së drejtës.
Në Shqipëri e Kosovë, me ndikim edhe në diasporë, gazetari është në një shërbim të pështirë klientelist, 180 gradë kundër me misionin që i takon të ketë, prandaj ky tranzicion çerekshekullor në Shqipëri e një dekadë e gjysmë në Kosovë, e ka metamorfizuar sistemin në një hibrid-mostër.
Në Qendrën e Mediave posa hymë na e dha mirëseardhjen vetë mikpritësja, Kancelaria federale Madame Corina Casanova, e cila qëndron në këtë pozitë prej janarit 2008. Me profesion avokate, njohëse e gjashtë gjuhëve, ka një karrierë brilante, si presidente e Gjykatës të Lartë, Tribunali Federal; pastaj e deleguar në Kryqin e Kuq ndërkombëtar me misione në Afrikën e Jugut, Angola, Nikaragua, El Salvador; pastaj kthim në Zvicër në departamentin e Punëve të jashtme, kur ky departament drejtohej nga Flavio Cotti e më pas nga Joseph Deiss. Në 2005 zgjidhet zv/kancelare Federale e pastaj prej dy mandatesh është Kancelaria e Konfederatës Helvetike.
Zonjës Casanova një vit më parë i dhuruam disa nga librat tanë dhe ajo na dërgoi një falënderim shkruar në shqip. Është një dhuratë-kujtim që e ruajmë me shumë kujdes. Edhe kësaj here, kur u takuam folëm pak për Shqipërinë. Implementimi i një sistemi demokratik kërkon kohën e duhur, na tha ajo, duke pasur parasysh izolimin dhe diktaturën e egër të Enver Hoxhës.
Në Qendrën e Mediave të Pallatit Federal ne jemi të familjarizuar. Na njohin edhe punonjësit e shërbimit. Aty u ritakuam me kolegët tanë që vinin nga Gjeneva dhe Zürich-u. Kësaj here Bob, gazetari veteran i Reuters nuk kishte ardhur, e ne i dërguam të fala përmes Emilias. U takuam edhe me Jian Chen, një koleg nga Kina, i cili ka vetëm disa muaj që është vendosur në byronë e Gjenevës si korrespodent i Economic Day, gazetë e përditshme me të paktën 20 zyra të saj në vende të ndryshme të botës. Dhe pas përshëndetjeve, shkëmbimeve të të rejave më të fundit, shoqëruar me një croissant e cafe au lait të nxituar u drejtuam në sallën e takimit.
Referendumi i 9 shkurtit dhe sistemi unik i Zvicrës
Madam Casanova sa e mori fjalën u fokusua menjëherë tek referendumi i 9 shkurtit 2014, ndërsa në dy ekranet e mëdhenj u shfaqën tituj të gazetave kryesore të Gjermanisë, Britanisë të Madhe e Francës, si ‘The Guardian’, ‘Bild’ dhe ‘Le Mond’, të kolegëve tanë, tw cilat i bënin jehonë votimit 50.3%, ku populli zviceran, sado me një diferencë të vogël, kishte votuar “Kundër migracionit masiv”.
Madam Casanova shpjegoi se “po”-ja e popullit zviceran habiti botën politike, si Këshillin Federal, ashtu edhe Parlamentin që ishin shprehur kundër iniciativës së partisë SVP, por populli është sovran, shtoi ajo, dhe nuk ka alternativë tjetër. “Tri ditë pas vendimit të 9 shkurtit, Këshilli Federal komunikoi procedurën që do të ndiqej për ta implementuar këtë vendim, me një vonesë 3 vjeçare, ndërsa Zvicra, paralelisht është duke vazhduar komunikimin si me Bashkimin Europian, ashtu edhe me 28 vendet anëtare të tij. Meqë vihet në diskutim qarkullimi i lirë, fillimisht BE reagoi negativisht ndaj verdiktit të popullit zviceran. Në fund të qershorit, Këshilli Federal do të paraqesë një mesazh, ku do të ekspozojë mënyrën se si do ta vejë në jetë iniciativën që u votua më 9 shkurt. Megjithëse kushtet janë komplekse, Zvicra ka një eksperiencë në këtë kuadër”, vuri në dukje madam Casanova rreth kësaj teme. E cila ishte edhe në fokus të gazetarëve gjatë konferencës për shtyp, ku pyetja kryesore lidhej me faktin nëse përmbushja e kësaj iniciative a binte ndesh me ligjet ndërkombëtare. dhe zonja Casanova, e shoqëruar nga zonja Barbara Perriard një eksperte e të drejtave politike dhe Këshilltari i saj për mediat Claude Gerbex, nënvizoi  faktin se gjithçka do të kalojë nga Parlamenti me kujdes të veçantë, që mos të cenohet e preket asnjë ligj ndërkombëtar.
Demokracia direkte në Zvicrën multikulturale
Pastaj madam Casanova, iu kthye temës kryesore të takimit, që lidhej me disa veçori tipike të sistemit politik në Zvicër, të instrumenteve që e vënë në funksion demokracinë direkte, si dhe rolin e Këshillit Federal. Përbërësit kryesorë të sistemit politik zviceran, nëse do t’i referoheshim një grupi fjalësh çelës janë: parlamenti me sistem bikameral, Këshilli Nacional ose Dhoma e Popullit, me 200 parlamentarë; Këshilli i Shteteve ose Dhoma e Lartë, me 46 vende që përfaqëson kantonet; shtatë këshilltarë federalë, që përfaqësojnë pesë parti politike; federalizmi, me 26 kantone dhe 2352 komuna si dhe katër gjuhët që përfaqësojnë multikulturalizmin.
Sa i përket demokracisë direkte, instrumentet e saj janë iniciativat dhe referendumet, që shprehin të drejtat popullore. Duke iu referuar statistikave, prej vitit 1891 kanë kaluar për votim 189 iniciativa popullore, ku nga këto 168 janë hedhur poshtë dhe 21 kanë kaluar, ku përfshihet edhe ajo e 9 shkurtit të këtij viti.
Të gjithë këta elementë përbëjnë demokracinë direkte helvetike, si një sistem politik unik në botë. E gjitha kjo në kontekstin e neutralitetit, me një ekonomi të orientuar nga eksporti, me një monedhë të fortë dhe bashkëpunim bilateral me BE, paçka se Zvicra nuk është anëtare.
Pastaj madam Casanova iu referua qeverisë zvicerane e cila këtu njihet si «Këshilli Federal », duke nënvizuar pozitat e barabarta midis anëtarëve. Paçka se ky institucion është autoriteti suprem drejtues i Konfederatës, Zvicra ka instrumente të tillë që nuk lejojnë as krijimin e kultit të individit  dhe as katapultimin në majë të askujt. Principi i kolegjialitetit, kultura e konsensusit dhe kalendari i “përjetshëm i votimit” Madam Casanova në fjalën e saj vendosi në qendër të vëmendjes kulturën zvicerane të konsensusit, e cila mbështetet në bindjen se vendimet e rëndësishme nuk kanë jetëgjatësi nëse nuk pranohen jo vetëm nga shumica, por edhe nga pakica. Prandaj vendimet kryesore të Konfederatës janë marrë me konsensus të maxhorancës me minorancën. Nuk ka si të mos hedhim paralele me Shqipërinë dhe ku jetojnë shqiptarët, ku fati i Sovranit ka mbetur peng dhe shërbëtor i klasës politike që e ka përjashtuar gjuhën e konsensusit, kompromisit dhe marrëveshjeve, krejt ndryshe nga zviceranët, të cilët përmes demokracisë direkte përpiqen që ta perfeksionojnë sistemin duke fuqizuar rolin e tyre.
Pikërisht duke vendosur në qendër të vëmendjes demokracinë direkte, madam Casanova vuri në dukje se asnjë vend tjetër në botë nuk ka në dispozicion një sistem të drejtash politike si Zvicra. Me anë të iniciativës popullore, mjaftojnë 100 mijë firma për të propozuar një modifikim të Kushtetutës; ndërsa 50 mijë firma mjaftojnë për një referendum fakultativ, ku shkohet në votim kundër një ligji të votuar nga Parlamenti. Ndërsa referendumi i detyruar kërkohet nga Parlamenti në rastin kur ka ndryshim të Kushtetutës, siç ishte për shembull rasti i aderimit të Zvicrës në OKB në vitin 2002 etj. Në demokracinë direkte përfshihet edhe “Kalendari i përjetshëm i votimit”, një kuriozitet shumë i veçantë, që nuk e hasim askund, ku janë të fiksuara datat fikse të votimeve deri për vitin 2030. I tillë është stabiliteti që ofron sistemi.
Po duke iu referuar demokracisë direkte, madam Casanova e evidentoi si një rekord helvetik të drejtën që i jep mundësi qytetarit zviceran të jetë pjesë aktive e proceseve dhe vendimeve politike, ku fjalën e fundit gjithmonë e thotë populli. Që nga koha e Revolucionit francez, viti 1789, Zvicra ka një rekord universal, ku nga 1645 referendume sa janë mbajtur në gjithë botën, në Zvicër me votimin e 18 majit, bëhen 591 të tilla.
Në lidhje me Këshillin Federal, që është Qeveria e Zvicrës, madam Casanova nënvizoi rolin e këtij Këshilli, i cili  e ka si detyrim të informojë qytetaret dhe qytetarët me objektivitet, transparencë dhe në mënyrë proporcionale, detyrim që shprehet edhe me ligjin mbi të drejtat politike të informimit. Këshilli Federal informon, por nuk bën fushatë elektorale në kuptimin e pastër.
Zakonisht çdo këshilltar federal jep shpjegime në radio dhe TV jo më shumë se tre minuta, ndërsa përpara çdo votimi publikohet paraprakisht një broshurë e titulluar „Shpjegimet e Këshillit Federal“, e cila për nga publikimi në 5.2 milionë kopje, përbën një lloj „best-selleri“, që përmban argumentet e Parlamentit dhe Qeverisë dhe ku këshillohet populli të votojë pro ose kundër një iniciative. Roli i Këshillit Federal është të informojë, por edhe të pranojë rezultatin. Puna e informimit e Këshillit Federal, theksoi madam Casanova, jep përgjithësisht frytet e saj, jo gjithmonë, por shpesh. Duke bërë bilancin e votimeve, prej vitit 2008, populli në më të shumtën e herëve, ka ndjekur rekomandimet e qeverisë, pra Këshillit Federal, por për çerekun e temave, populli ka votuar kundër rekomandimeve, siç ishte edhe rasti i iniciativës të 9 shkurtit.
Dy konkluzionet themelore

Së pari, sistemi politik i Zvicrës është i bazuar në konsensus dhe pjesëmarrje. Së dyti, në këtë sistem politik, vendimet e rëndësishme janë marrë më tepër ndikuar nga qëndrimi helvetik pragmatist, sesa nga ai frenetik. Për Këshillin Federal dhe për Parlamentin ushtrimi i demokracisë direkte nuk është gjithmonë i lehtë, siç ishte edhe rasti i iniciativës “Kundër migracionit masiv”, që u votua më 9 shkurt, ku populli votoi kundër rekomandimeve të parlamentit dhe Këshillit federal. Por unë besoj, e përmbylli fjalën e saj zonja Kancelare e Konfederatës Helvetike, prologu dhe epilogu i fjalës të saj, u lidhën me votimin e 9 shkurtit, „se sistemi politik në Zvicër, është i aftë ta asimilojë mirë vendimet e popullit, edhe kur me vështrimin e parë këto vendime duken si “revolucionare”. Për këtë është roli i autoriteteve, që të kërkojnë zgjidhje, për të vënë në jetë verdiktet popullore. Prandaj Këshilli Federal është në shërbim të popullit, ku përfshihet edhe roli i Kancelarisë Federale, që të mbështesim Këshillin Federal në këtë angazhim, sepse zviceranët janë shumë të lidhur me sistemin e tyre të demokracisë direkte si dhe instrumentet e saj që janë iniciativat popullore dhe referendumet”, përfundoi madam Casanova. Dhe ky fakt i ka bërë që Zvicra të jetë në krye në librin e Guinness World Records.
Reagimi i NUMES
Ndërkohë vota e 9 shkurtit ishte një goditje e rëndë edhe për europeistët në Zvicër, të cilët mesa duket nuk dorëzohen. Sipas njoftimeve më të fundit, që datojnë pas pritjes që zonja Casanova dha për APES, delegatët e NUMES, Lëvizja e Re Evropiane e Zvicrës, e mbledhur në Bernë këtyre ditëve, ka treguar gatishmëri ta mbrojnë në mënyrë edhe më të vendosur politikën bilaterale. Objektivi final i NUMES mbetet anëtarësimi i Zvicrës në BE. Për këtë arsye ka miratuar një rezolutë ku kërkon të rikthimin në votim. Në mënyrë të qartë i kërkohet Parlamentit Kombëtar të “përgatisë një votim të ri popullor që e mundëson Zvicrën të dalë nga situata aktuale”. Të reja të tjera nuk kemi, por e sigurt është se fjalën e fundit e thotë gjithmonë Sovrani.
Vizitë në Parlament
Në programin tonë përveç takimit me Kancelaren e Zvicrës, ishte paraparë një vizitë në Parlament. Ne e kemi vizituar disa herë Parlamentin Zviceran. Nga Qendra e Mediave parlamenti është dy hapa. Na kishin rezervuar lozhën e diplomatëve dhe filluam të ndiqnim për së drejti një sesion special të Këshillit Nacional. Tema e diskutimit kishte të bënte me antibiotikët që përdoren në veterinari. Ishte fjala për antibiotikët në përdorim për gjënë e gjallë që pastaj përdoret si mish për konsum, ku përdorimi i disa syresh ka efekt negativ tek njeriu, pasi që nuk lejojnë që të kenë efektin e duhur. Mishi zviceran ishte nën kontroll, por njëra palë në parlament kërkonte që të merrej nën kontroll edhe pjesa e mishit që importohet në Zvicër, ndërsa pala tjetër e konsideronte këtë një fenomen global. Po të na pyesnin ne, edhe ne ishim për kontroll edhe të mishit që importohet me që lidhet direkt me shëndetin e qytetarit. Zvicra dallohet nga vendet e para në botë ku sipas statistikave çdo njeri i varion të jetë i sëmurë nga 3-7 ditë në vit. Në fund të vizitës tonë në prag të largimit na rezervoi një takim të shkurtër, por shumë të përzemërt, kryetari i Parlamentit të Zvicrës z.Ruedi Lustenberger me të cilin bëmë disa foto në grup.
Bufé në Bernerhof
Kësaj here dreka, në formë bufeje, ishte organizuar në Bernerhof, ndërtesë qeveritare ndërkohë edhe selia e Departamentit Federal të Financave. Madam Casanova sa herë i fton gazetarët e APES, jo vetëm që paraqet në mënyrë të shkëlqyer temën për të cilën është organizuar takimi, por ajo dhe stafi i saj i kushton rëndësi çdo detaji, me qëllim që t’i bëjë një prezantim sa më të përkryer të imazhit të Zvicrës. Dhe ne gazetarët e APES mezi presim takimin e radhës.
Bernerhof – ku ishte duke na pritur madam Casanova, është një ndërtesë e pasur me histori. Dikur ka qenë një Hotel superluksos. Në këtë sallë madhështore, ku ne po trokisnim ne gotat e verës, dikur, në vitin 1912 është pritur për shembull gjatë vizitës së tij zyrtare në Zvicër perandori Wilhelm II i Gjermanisë. Por, prej 1923 Bernerhof u kthye në një ndërtesë e administratës dhe kati i tij parterre, pikërisht atje ku u pritëm edhe ne gazetarët e APES, përdoret për pritje qeveritare të nivelit më të lartë. Arkitekt i parë i ndërtesës është Jakob Friedrich Studer, qi cili ka arkitektuar edhe Parlamentin Zvicran, pjesën Perëndimore. Nga pjesa jugore e ndërtesës gjigante, pikërisht nga krahu ku gjenden sallat e pritjes, shtrihet një verandë madhështore e hatashme me pamje nga Alpet dhe Lumi Aare, ku mund të soditësh si në një ballkon  mrekullinë që të ofron natyra zvicerane nën perandorinë e gjelbërimit të muajit maj.
Bufeja u parapri nga aperitivi me verëra të zgjedhura, ku Madam Casanova, mikpritësja na uroi mirëseardhjen për t’i hapur rrugë një takim të ngrohtë midis asaj dhe gazetarëve të APES nën shoqërinë një bufeje të përzgjedhur me ushqime tradicionale zvicerane, që kishte ardhur e porositur posaçërisht për ne nga Kuzhina e BELLEVUE PALACE Hotel në Bernë. Supa të ftohta, lloje pastash me porcione, jo më shumë se një deri në dy pirunë, salmon, mish, tofu e mbështjellë me salca e kështu me radhë, të cilat na i ofronin disa punonjëse ardhur po nga Bellevue, duke na u lutur që t’i shijonim, për të mos folur pastaj për desertin, i cili ishte i gjithëfarllojshëm, por servirej si nëpër bufé, me nga një hapë goje, me qëllim që të pranishmit të mos largoheshin pa provuar gjithçka nga gjithë kjo delikatesë që përmbyllej me një kafe ekspres të denjë me pesë yje. Ndërkohë blicat e aparateve dhe celularëve nuk ndaleshin duke u fotografuar ndërsa madam Casanova u jepte intervista gazetarëve të APES. Të cilët, nuk harronin që t‘i shprehnin falënderimet e tyre për takimet speciale që organizon Zonja Kancelare e Konfederatës Helvetike. Kështu i thamë edhe ne duke i shtrënguar duart në prag të largimit, se Madame Casanova e paraqet Zvicrën si një “diamant”. Aq më tepër kur ka se me çfarë të krenohet! Dhe këtu përfundoi edhe kjo vizitë e APES me Kancelieren Federale.
Kur dolëm nga Bernerhof, retë në qiell pikonin shi si me pikatore. Natyrisht Berna nën diell është diellore, por e tillë është edhe nën shi, i cili gjithsesi u tregua me ne shumë i mirësjellë deri në Stacionin Qendror, aty ku morën trenin nëpër drejtime të ndryshme, drejt shtëpive tona, duke mos harruar të përshëndetemi me njëri-tjetrin me mirë u pafshim: Tschüss bis bald! A bientôt ! Till the next time!