Dy vjet nga tërmeti shkatërrues në Itali, zonat e goditura ende gërmadha

500
Sigal

Mbushen sot 2 vjet nga tërmeti i fortë që goditi Italinë Qëndrore. Në orës 03:36 minuta duke u gdhirë 24 gushti i 2016, një tërmet 6 ballë me epiqëndër Amatricen shkaktoi rreth 300 viktima, dhjetra të plagosur, qyteza e banesa të shkatërrua e të kthyera në gërmadha.

Gjatë natës së shkuar në Amatrice, Accumoli, Arquata del Tronto, Pecara del Tronto, Norcia e në të gjitha qytezat e prekura nga kjo tragjedi natyrore, qe një natë lutje në kujtim të viktimave që humbën jetën.

Në manifestimin e heshtur me qirinj të ndezuar në duar, të familjarëve të viktimave e të banorëve të zonës zhvilluar në qytezën e Pescara del Trontos mori pjesë kryeministri italian Giuseppe Conte ndërsa në atë të mbajtur në Amatrice ishte i pranishëm zëvendës’kryeminsitri Luigi Di Maio.

“Humbja e të dashurve tuaj është dhe humbja jonë”, u shpreh kryeministri Conte gjatë takimit me familjarët e viktimave, por dhe shpresa jonë duhet të jetë dhe shpresa juaj”:

“Tërmeti nuk është një aksident por pjesë e jetës e rindërtimi i asaj çka u shkatërrua duhet të garantojë të ardhmen në emër të sigurisë për të gjithë”, tha ai.

Mes familjeve të prekuara nga tërmeti i dy viteve më parë janë dhe mjaft familje shqiptare e mes viktimave dhe shqiptari Erjon Toro, i martuar e baba i dy vogëlusheve që në atë kohë ishin 5 dhe 3 vjeçe.

Prej pak vitesh familja e tij jetonte në komunën e Amatrices. Bashkëshortja e tij e dy vajzat mbetën të plagosura nga kjo tragjedi që i mori jetën njeriut të tyre më të dashur.

Por dy vite nga kjo tragjedi, të shumta janë dhe polemikat mbi ndihmën e munguar të shtetit ndaj banorëve e qytezave të shkatërruar nga tërmeti.

Në Amatrice e jo vetëm, ora duket se ka mbetuar në atë natë dramatike. Qyteza vazhdon të jetë nën gërmadhë e premtimet e institucioneve për pastrimin e heqjen e tyre nuk janë mbajtur.

Shumica e banorëve është strehuar në shtëpitë e drunjta të ndërtuara enkas por mjaft të tjerë vazhdojnë të jetojnë në hotele.

Të gjitha bizneset e zonës së prekur nga tërmeti janë shkatërruar, disa janë ringritur por mjaft banorë vazhdojnë të jenë të papunë.

Fëmijët, e nxënësit vazhdojnë të studiojnë në shkolla provizore në pritje të ngritjes së ndërtesave të sigurta.

“Në vitin e parë të tragjedisë dhimbja është e madhe, në vitin e dytë mendon të rinisësh jetën, por tani që po nis viti i tretë është momenti më i keq pasi kupton se duhet kohë shumë kohë për të marrë në duar jetën normale” u shpreh gjatë manifestimit të natës së shkuar kryetari aktual i bashkisë së Amatrices, Filippo Palombini.