Drejt Anglisë më karta italiane, goditet banda e shqiptarëve

264

Autoritetet italiane kanë goditur dy banda shqiptare, që merreshin me trafikun e drogës dhe atë të klandestinëve.

Siç raportojnë mediat italiane të dyja organizatat kriminale ishin të lidhura me njëra-tjetrën. Ato kishin krijuar një “urë” lidhëse mes Italisë dhe Anglisë për të lejuar qytetarët shqiptarë të mbërrinin në territorin e Mbretërisë së Bashkuar në mënyrë të paligjshme.

Bandat u zbuluan nga policia në Frascati, ndërsa u lëshuan edhe masa arresti për 18 persona, 11 me burg, dy në arrest shtëpie dhe 5 të tjerë detyrim paraqitje.

Bashkëpunimi i karabinierëve me policinë angleze

Të 18 personat e dyshuar akuzohen për emigracion të paligjshëm dhe trafik ndërkombëtar droge. Zbulimi u bë edhe falë bashkëpunimit të policisë angleze, të cilët identifikuan një grua shqiptare që mbërriti në aeroportin e Londrës me një kartë identiteti me emër italian.

Baza e organizimit në Itali

Baza e organizatës ishte në Itali, midis komunave Guidonia dhe Fonte Nuova dhe menaxhohej nga shqiptarët. Duke përfituar nga zona që kishte shumë shqiptare që jetojnë prej vitesh, ata krijuan kontakte të shumtë për furnizim me drogë. Lënda narkotike mbërrinte në Puglia dhe më pas transportohej në Romë me makinë. Hetimet kanë bërë të mundur identifikimin e blerësve të ndryshëm. Në total u sekuestruan 150 kg marijuanë dhe dhjetëra doza me kokainë dhe heroinë.

Klandestinët dërgoheshin ilegalisht në Angli

Gjatë hetimeve u zbulua edhe organizata tjetër e lidhur me të parën, e përbërë nga disa shqiptarë dhe një banor italian në provincën e Napolit.

Organizata dërgonte shqiptarë në Itali pa dokumente, më pas ata dërgoheshin në Angli me dokumente në emër të qytetarëve italianë.