Drama e refugjatëve në Itali, liderët e BE-së mblidhen në Bruksel

414
Ndërkohë që Ministrat e Brendshëm dhe ata të Drejtësisë të shteteve të Bashkimit Europian u mblodhën në Bruksel për të diskutuar për krizën e emigrantëve në detin Mesdhe, në Itali pamje dramatike kanë shfaqur autoritetet vendase të përzënë afrikanët e mbetur prej katër ditësh në qytezën kufitare italo-franceze, Ventimilja.
Në ditët e fundit, Italia është përplasur me Francën në lidhje me fatin e emigrantëve që nuk lejohen të kalojnë kufirin në qytetin bregdetar, ndërsa kryeministri Mateo Renci ka kërcënuar se Italia do të përgjigjet me mënyrën e saj, pasi sipas tij është e pamundur që anijet franceze të dalin në Mesdhe për të shpëtuar emigrantë dhe më pas t’i dërgojnë ata në portet italiane, kryesisht të Siçilisë.
Edhe pse disa shtete të BE-së, si Gjermania dhe Austria, mbështesin idenë e shpërndarjes së rreth 60 000 azilkërkuesve në 25 vende, të tjerë e kundërshtojnë këtë vendim, ndërsa Mbretëria e Bashkuar, Danimarka dhe Irlanda janë vetëpërjashtuar nga sistemi i kuotave.
Alfano:“Europa duhet të sillet si e tillë, sepse një nga vlerat tona të përbashkëta është lëvizja e lirë. Politika e përbashkët e azilit bazohet në parimin e përgjegjësisë dhe solidaritetet për të shmangur falimentimin politik të Europës”.
Kazanëv: “Nëse emigrantët kanë mëbrritur në Itali fillimisht është normale që rikthimi i tyre të bëhet në Itali kur kalojnë kufirin. Kemi disa marrëveshje për këtë dhe po i respektojmë”.
De Maiziere:“Jemi të gatshëm të ndihmojmë duke marrë dhe regjistruar emigrant. Jemi të gatshëm të përdorim sistemin e shpërndarjes. Të tjerët që nuk janë në përputhje me ligjet tona për azil, duhet të qendrojnë në Itali e Greqi, e prej andej të kthehen nëpër shtëpi”.
Por pavarësisht përplasjeve politike, deri më tani shifrat flasin për një përkeqësim të gjendjes në Mesdhe, ku rreth 2000 vetë kanë humbur jetën që nga fillimi i vitit 2015, pothuajse 20 herë më shumë sesa e njejta periudhë një vit më parë
Sigal