Dogji flamurin amerikan, një muaj burg nënkryetarit të Radikalëve serbë

510
Nënkryetari i Partisë Radikale serbe, Nemanja Sharoviç, është dënuar nga gjykata e lartë e Beogradit me një muaj burg me kusht për shkak të djegies së flamurit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në nëntor të vitit 2012. Dënimi i tij nuk do të ekzekutohet në rast se brenda një viti nga hyrja në fuqi e aktgjykimit nuk kryen vepër tjetër penale. Nënkryetari i Radikalëve serbë është gjykuar për verën penale të dëmtimit të autoritetit të shtetit të huaj ose organizatës ndërkombëtare.

Sharoviç fillimisht është akuzuar për djegien, përveç të flamurit amerikan, edhe të flamujve të Bashkimit Evropian, NATO-s dhe Kosovës në protestën para presidencës serbe në nëntor 2012, me rastin e vendimit të Tribunalit të Hagës për lirimin e Ramush Haradinajt nga akuzat për krime lufte. Ndërkohë, prokuroria ka hequr dorë nga akuzat për djegien e këtyre tre flamujve, me arsyetimin se këto “s’janë shtete” dhe ndaj s’ka pasur vepra penale.
Sigal