Dialogu Kosovë-Serbi, Varhleyi: Palët t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet për të cilat janë dakorduar

91
Sigal

Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhleyi deklaroi sot në Prishtinë se marrëveshja e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të zbatohet.

Varhleyi pas takimit me presidenten Vjosa Osmani foli edhe për dialogun, gjersa theksoi se palët duhet të zbatojnë të gjitha marrëveshjet për të cilat janë marr vesh.

“Mendojmë që është bërë një progres… është esenciale që të dyja palët t’i zbatojnë obligimet pa vonesë sepse duhet të shfrytëzohet momentumi dhe të ecim para me zbatimin e marrëveshjes… përfshirë edhe atë të 2015”, tha komisioneri për Zgjerim, duke nënkuptuar marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Ai foli më tej edhe për procesin e liberalizimit të vizave dhe procesin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, ndërsa tha se Kosova është e përkushtuar sa i përket përafrimit me BE-në.

“Një mesazh i qartë që vjen gjithmonë nga Prishtina është përkushtimi sa i përket përafrimit me BE-në. Keni treguar zotimin tuaj jo vetëm me fjalë, por edhe me qëndrimin sa i përket agresionit rus në Ukrainë”, tha ndër të tjera komisioneri Varhleyi.