Sigal

Prej disa ditësh moti i keq ka përfshirë disa vende të Europës, duke shkaktuar dhjetra viktima dhe persona të zhdukur si dhe shumë dëme materiale. Vendet që janë prekur nga përmbytjet përfshijnë dhe Spanjën, Francën dhe Italinë. Vetëm në Majorka derimë tani kanë humbur jetën 10 persona, mes tyre dhe dy turistë britanikë, ndërsa të tjerë persona rezultojnë të humbur.

Edhe në rajone të tjera të Spanjës, shirat e rrëmbyeshëm dhe përmbytjet i kanë marrë jetën një numër personash të bllokuar në makinat e tyre. Dy persona humbën jetën në Sainte Maxime në bregun jugor të Francës, ndërsa një grua u gjet e vdekur në Sardenjë.

Në Itali, në zonën e Cagliarit në Sardenjë, moti i keq i ka marrë jetën një gruaje. Ajo u shpall e zhdukur një natë më parë, pasi makina e saj u bllokua nga uji i përmbytjeve. Agjencitë italiane të lajmeve thanë më pas se, ajo u gjet e mbytur nga skuadrat e shpëtimit në mëngjes.

Anëtarët e tjerë të familjes së saj, bashkëshorti dhe 3 vajzat ishin shpëtuar me helikopter. Pjesë të mëdha të Cagliarit mbetën nën ujë. Dhjetëra persona janë evakuuar dhe disa rrugë janë mbyllur për shkak të nivelit të rrezikshëm të ujërave apo shembjes.

Edhe në Cagliari është shembur një urë, fatmirësisht pa viktima.