Deklarata e fortë e ambasadorit gjerman: Aq sa do të vonohet Demarkacioni, aq do vonohen vizat

596
Ambasadori i ri i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, gjatë një interviste ekskluzive për gazetën “Zëri”, ka porositur drejtuesit e institucioneve kosovare që ta mbyllin sa më shpejt Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi, si dhe ta luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin.
Kjo pasi sipas tij, sa më shumë vonohet ratifikimi i Marrëveshjes së Kufirit, aq do të vonohet edhe liberalizimi i vizave me BE-në.
“Qeveria e re si dhe shumica e re parlamentare duhet sa më shpejt ta përmbyllin çështjen e demarkacionit me Malin e Zi, pasi një gjë është e sigurt: Sa më shumë zvarritet ratifikimi i Marrëveshjes, aq gjatë do të duhet të presin qytetarët e Kosovës për liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian (BE-në)”.
Kështu ka deklaruar ambasadori i ri gjerman në Kosovë, duke shtuar se njëkohësisht duhet vazhduar edhe lufta ndaj korrupsionit, pasi siç ka thënë ai, ofrimi i dëshmive për luftimin e kësaj dukurie negative është, po ashtu, një kriter i hapur për liberalizimin e vizave.
Diplomati i ri gjerman ka folur edhe për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ku ka deklaruar se ky i fundit duhet të formohet në përputhje me ligjet e vendit, pasi ky hap, do të duhej ta mundësonte një integrim më të mirë brenda Kosovës.
Heldt, po ashtu, ka thënë se të ftuarit nga Gjykata Speciale duhet të paraqiten vullnetarisht, ose ftesa e Gjykatës duhet zbatuar nga institucionet kosovare të sigurisë.
“Ky do të jetë një shembull tjetër për ta parë se si veprojnë në ndërkohë institucionet e drejtësisë dhe autoritetet përgjegjëse për sundimin e ligjit në Kosovë”, ka thënë mes tjerash ambasadori Heldt.
Gjatë kësaj interviste diplomati gjerman ka folur edhe për bashkimin e Gjermanisë, e cila ka ndodhur pikërisht më 3 tetor të vitit 1990, duke thënë se një bashkim i tillë para 27 vjetëve e ka arsyetuar premtimin për bashkimin e kontinentit tonë, që vlen edhe sot për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Sigal