Debat i jashtëzakonshëm pa qeverinë në parlamentin e Kosovës

539
Parlamenti i Kosovës u mblodh të dielën në seancë të jashtëzakonshme me kërkesë të partive opozitare, lëvizja Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Alternativa, për të debatuar për programin e qeverisë së re që u zgjodh të shtunën.
Seanca e cila u ndërpre meqë u bojkotua nga partitë e koalicionit qeverisës, u përshkua me kritika të ashpra ndaj qeverisë së kryeministrit Ramush Haradinaj, e cila të shtunën u zgjodh me 61 vota në parlamentin 120 vendesh.
Kabineti i ri përbëhet nga koalicioni i Partisë Demokratike, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Nismës për Kosovën me Aleancën Kosova e Re. Pjesë e kabinetit qeverisës është edhe Lista Serbe.
Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, ritheksuan qëndrimin e tyre se një qeveri e tillë nuk do të mund të ketë jetë të gjatë dhe se e njëjta do të jetë e varur nga Beogradi.
Deputeti nga radhët e lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i bëri thirrje qeverisë së re që të mos dërgojë në parlament sic tha ai temat e mëdha që janë kundërshtuar edhe në të kaluarën, siç janë krijimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe marrëveshja për shënimin e kufirit me Malin e Zi.
Këto çështje janë dy nga sfidat e vjetra me të cilat do të përballet qeveria e re, përfshirë edhe papunësinë e luftën kundër korrupsionit si dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, që është kusht për përparimin e të dyja vendeve drejt integrimeve evropiane.
Të shtunën kryeministri Haradinaj tha se “bisedimet me Serbinë, nuk kanë alternativë” dhe se pavarësisht “historisë tragjike, ne nuk mund ta ndryshojmë faktin se jemi fqinjë”.
Ramush Haradinaj, 49 vjeçar, një nga komandantët kryesor të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në dhjetor të vitit 2004 ishte zgjedhur kryeministër në koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës që atëbotë drejtohej nga ish presidenti Ibrahim Rugova. Ai qëndroi në post vetëm për 100 ditë meqë u detyrua të përballet me akuzat për krime lufte në Gjykatën Ndërkombëtare për krime lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë, e cila dy herë me radhë e shpalli të pafajshëm për të gjitha akuzat.
Zoti Haradinaj i lindur më 3 korrik të vitit 1968 në Gllogjan afër Deçanit në Kosovën perëndimore.
Pas luftës së Kosovës ai shpërbeu për një kohë si zëvendëskomandant i Trupave Mbrojtëse të Kosovës, ndërsa në prill të vitit 2000, themeloi partinë e tij Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Zoti Haradinaj mori mandatin të enjten pak kohë pasi që parlamenti i Kosovës, zgjodhi me 62 vota për dhe 52 kundër Kadri Veselin për kryetar të parlamentit.
Sigal