Daniel Serwer del me propozime konkrete: Sanksione ndaj Vuçiçit! Perëndimi të forcojë qasjen ndaj Serbisë

36
Sigal

Nga Daniel Serwer, PEACEFARE

Policia e Kosovës dhe forcat e NATO-s në veriun e vendit me shumicë serbe penguan një kryengritje të armatosur gjatë fundjavës. Një polic i Kosovës dhe tre terroristë u vranë dhe të tjerë u arrestuan. Por shumica duket se kanë shpëtuar. Serbia dhe përfaqësuesit e saj politikë të Listës Srpska në Kosovë kanë shpallur ditë zie. Kjo konfirmon mbështetjen e tyre për kryengritjen. Burrat e Vegjël të Gjelbër duket se kanë gjetur strehë të sigurt brenda Serbisë.

Presidenti serb, Vuçiç u takua më pas me ambasadorin rus. Vuçiç u ankua për ‘spastrim etnik brutal’ në Kosovë, për të cilin nuk ka prova. Nuk kemi asnjë konfirmim se Vuçiç ka urdhëruar kryengritjen e armatosur. Por një nga shtyllat e tij në veri të Kosovës ishte i përfshirë. Gjëra të tilla nuk ndodhin pa dijeninë e Beogradit. Vuciçi mund ta kishte ndaluar paraprakisht ose ta denonconte pas faktit. Por ai nuk bëri asnjërën.

Çfarë na tregon kjo ngjarje

Ky incident është konfirmim se Vuçiçi nuk ka ndërmend të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën. Dialogu Prishtinë/Beograd me këtë objektiv është mbulesë për qëllimin e tij real. Ai dëshiron ndarjen e katër komunave veriore me shumicë serbe. Ai do të preferonte ndarjen de jure dhe shpreson se suksesi rus në aneksimin e pjesëve të Ukrainës do ta vërtetojë këtë objektiv. Por ai do të pranonte për momentin edhe një qeverisje de facto të veçantë, në formën e një Asociacioni të Komunave me shumicë serbe.

Prishtina ka treguar se policia e saj mund të përballojë, me mbështetjen e NATO-s, një grup të armatosur rëndë prej disa dhjetëra militantësh të vendosur. Por është po kaq e qartë se forcat e blinduara serbe mund të hyjnë në Kosovë me lehtësi. Është më pak se 25 milje, ndoshta një orë me tank, nga pikëkalimi më i afërt kufitar serb në Mitrovicën veriore. NATO kohët e fundit ka përforcuar forcat e saj në Kosovë. Por nuk është e qartë nëse ata janë të pajisur apo të trajnuar për luftë kundër blindave.

Diplomatët amerikanë dhe europianë mendojnë se Serbia nuk do të tentojë një veprim të tillë për shkak të pasojave politike. Por Vuçiç e di më mirë. Ai po përpiqet të bindë botën se serbët po pastrohen etnikisht nga Kosova. Kjo mund të bëjë të vlefshëm një pretendim të tij që tanket të mbrojnë civilët. Kjo është arsyeja pse ai vazhdimisht pretendon, pa prova, se një spastrim i tillë etnik po vazhdon, siç bëri dje në një takim me ambasadorin rus.

Reagimi amerikan dhe evropian

Përgjigjja perëndimore ka qenë e dobët deri më tani. Brukseli dhe Uashingtoni u kanë bërë thirrje ‘të dyja palëve’ që të parandalojnë dhunën dhe përshkallëzimin e mëtejshëm. Kjo në mënyrë implicite barazon performancën e shkëlqyer të Policisë së Kosovës me një kryengritje të armatosur ilegale që mund të kishte shkaktuar destabilitet në mbarë Ballkanin. Ata që janë përgjegjës për politikën ballkanike në të dy kryeqytetet nuk janë të gatshëm të pranojnë dështimin e përpjekjeve të tyre për të joshur Serbinë drejt Perëndimit. Në vend të kësaj, ata po kërkojnë një kthim të shpejtë në ‘dialog’.

Një qasje alternative do të denonconte mbështetjen e Beogradit për kryengritjen e armatosur, duke e etiketuar si një akt terrorist dhe duke vendosur sanksione kundër Vuçiçit dhe zyrtarëve të tij të mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare. NATO duhet të përgatisë forcat e saj në veri të Kosovës për mbrojtje kundër një pushtimi të blinduar. Perëndimi duhet ta lavdëronte Policinë e Kosovës dhe të kërkonte një gjykim të drejtë dhe të shpejtë për autorët në gjykatat e Kosovës. Ambasadorët në Beograd duhet të tërhiqen për konsultime.

Duhet një politikë e re

Ata mund të kthehen shpejt me një mesazh të vetëm: epoka e qetësimit ka mbaruar. Nëse Beogradi dëshiron anëtarësimin në BE, Serbia duhet të:

-arrestojë dhe dorëzojë terroristët tek autoritetet e Kosovës.

-të heqë dorë nga insistimi për qeverisje të ndarë të serbëve në Kosovë.

-të përkrahë sanksionet ndaj Rusisë për Ukrainën.

-të përkrahë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara.

Nëse Beogradi refuzon, BE duhet të njoftojë se po ngrin bisedimet e pranimit. SHBA duhet të pezullojë bashkëpunimin ushtarak me Serbinë, duke përfshirë bashkëpunimin me Gardën Kombëtare të Ohajos.

Uashingtoni dhe Brukseli duhet gjithashtu të përgatiten për të nxitur Prishtinën që të kontaktojë serbët e veriut për të gjetur alternativa ndaj Listës Srpska. Përveç kësaj, Prishtina duhet të përpiqet të sigurojë që të mos ketë incidente anti-serbe në të gjithë Kosovën, në mënyrë që të zhvlerësojë pretendimet e Vuçiçit për spastrim etnik. Prishtina duhet të hetojë menjëherë çdo incident që ndodh. Gjykatat duhet të gjykojnë menjëherë autorët.

Është koha për të rikonfiguruar politikën perëndimore për Serbinë dhe Kosovën. Rinovimi i qasjes aktuale do të sjellë dështime të reja. Një qasje më e fortë ndaj Beogradit është hapi i parë i nevojshëm.