Ç’po ndodh me zgjedhjet në Greqi/ Fluks përpara mbylljes së kutive

105
Sigal

Procesi zgjedhor në Greqi ka ecur pa probleme që prej orës 7.00 të mëngjesit të së dielës në të gjithë vendin. Qendrat mbyllen në orën 19.00 me orën lokale. Sipas informacioneve që japin mediat e vendit fqinj, deri në orën 16:30 pjesëmarrja ishte 48.76%. “Protothema” shkruan se pjesëmarrja ishte në rritja kur ka mbetur më pak se 30 minuta nga fundi i procesit zgjedhor.

Sipas të njëjtave informacioneve, pjesëmarrja mund të tejkalojë shifrat e zgjedhjeve të vitit 2019 ku pjesëmarrja ishte 57,78%. Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme, Michalis Stavrianoudakis tha në një konferencë për mediat se “në orët e fundit ka pasur një rritje të pjesëmarrjes, që do të thotë se mund të kalojmë përqindjen e vitit 2019. Asnjë problem i veçantë nuk është raportuar askund deri në këtë moment” – tha zyrtari.

ekloges_mak

Sipas organizatorëve të zgjedhjeve rreth orës 20:30 të mbrëmjes do të bëhet vlerësimi i parë i rezultatit zgjedhor dhe deri në 22.00 ai do të përditësohet pasi do të jetë lexuar një përqindje e madhe e votave. Duke folur për ERT3, Stavrianoudakis tha se para orës 24.00 të mesnatës do të shpallen rezultatet dhe shpërndarja e mandateve në Parlamentin me 300 anëtarë. Në të gjitha qendrat e votimit do të ketë persona të përcaktuar që me tabletë do të hedhin rezultatet në kohë reale.

Sondazhet kanë favorizuar partinë “Demokracia e re” e kryeministrit Kiriakos Mitsotakis, por duket e vështirë që ai të ketë mundësi të krijojë i vetëm qeverinë. Në vend të dytë renditet Syriza e ish-kryeministrit, Alexis Tsipras. Nëse koalicionet do të dështojnë, në korrik në Greqi do të ketë sërish zgjedhje në një raund të dytë.