Britani, hotelet janë qendra për azilkërkuesit

316
Qindra emigrantë që kanë hyrë ilegalisht në Britani janë vendosur në hotele me shpenzimet e taksapaguesve. Ata që kanë hyrë në vend me kamionë ose trena, përmes Kanalit të La Manshit, po transportohen në Angli dhe u jepet nga një dhomë hoteli, tre vakte në ditë dhe një shumë prej 35 dollarësh në javë – të gjitha këto brenda pak ditësh pas hyrjes në Britaninë e Madhe, raporton “Daily Mail”. Arsyeja pse po akomodohen në hotele është pasi qendrat zyrtare të pritjes nuk mund ta përballojnë fluksin e hyrjeve. Mirëpo kjo gjë i ka zemëruar britanikët, të cilët kanë postuar disa vlerësime në “TripAdvisor” duke i paralajmëruar pushuesit se hotelet në Britani po kthehen në kampe refugjatësh.
Pas një jave kaosi në Kalais, ku mijëra emigrantë janë përpjekur të hyjnë në Britani dhe qindra prej tyre ia kanë dalë, kritikët thonë se vendimi për t’i strehuara ata në hotele është një shenjë se Ministritë e kanë humbur kontrollin. Qeveria po u paguan kompanive private 150 milionë paund për t’i akomoduar azilkërkuesit e kapur nga policia. Por kontraktori privat “Serco” deklaroi se 100 emigrantët e fundit po qëndrojnë në hotele, pasi gjashtë qendrat e pritjes së emigrantëve, të ndërtuara për të pritur 1200 njerëz, janë plot. Kryeministri David Cameron ndodhet nën presion për t’u kërkuar francezëve të paguajnë kompensimin për kaosin në porte. Ministrat paralajmëruan për një nevojë për akomodimin e azilkërkuesve. Autoritetet franceze kërcënuan se do t’u japin fund kontrolleve të sigurisë dhe pasaportave dhe e akuzuan Cameron për “shkelje të rrezikshme”. Mbrëmjen e shkuar, 300 emigrantë të tjerë kaluan përmes gardheve të sigurisë në Kalais, në përpjekje për të hipur në trenat e Eurotunelit. Zyra e Kryeministrit njoftoi marrjen e masave të reja të sigurisë në kompleksin e Eurotunelit.
Sigal