Bomba ruse në Donetsk, vriten 5 civilë, mbi 850 numri i fëmijëve të plagosur

90
Sigal

Të paktën pesë civilë humbën jetën dhe katër të tjerë u plagosën  si pasojë e bombardimeve nga forcat ruse në rajonin Donetsk të Ukrainës lindore të shtunën.

Lajmi u bë i ditur nga kreu i administratës ushtarake rajonale, Pavlo Kyrylenko, në Telegram. Ai u shpreh se është e pamundur të përcaktohet numri i saktë i viktimave në Mariupol dhe Volnovakha. Deri tani raportohet se ka shkuar në 852 numri i fëmijëve të plagosur, që nga fillimi i luftës në Ukrainë.

Kjo e dhënë u publikua nga Prokuroria e Përgjithshme e Kievit, duke shtuar se numri i të miturve të vrarë ka mbetur i pandryshuar në 440.

“Deri në mëngjesin e 27 nëntorit 2022, më shumë se 1291 fëmijë janë prekur në Ukrainë si rezultat i agresionit të armatosur nga Federata Ruse. Sipas informacionit zyrtar të Prokurorisë për të Mitur, 440 fëmijë janë vrarë dhe më shumë se 851 janë lënduar”, ka shkruar Prokurori i Përgjithshëm në Telegram.

Bombardimet ruse të qytetit jugor të Khersonit kanë shënjestruar linjat e energjisë elektrike, si dhe lagjet më të populluara të banimit: dje, më pak se 5% e banorëve kishin energji elektrike në shtëpi. Ushtria e Moskës vazhdon të shkatërrojë infrastrukturën energjetike të Khersonit. Edhe sot ata kanë shënjestruar linjat e energjisë që furnizojnë qytetin me dritë.