Blinken paralajmëron Kosovën dhe Serbinë: Tensionet pengojnë integrimet euroatlantike

88
Sigal

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i bëri sërish thirrje Kosovës dhe Serbisë të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për uljen e tensioneve në veri të Kosovës. Ai paralajmëroi se situata aktuale i pengon proceset e integrimit euroatlantik për të dyja vendeve.

Duke folur pas një takimi të ministrave të jashtëm të NATO-s në Oslo, Blinken tha se shumë aleatë u shprehën të shqetësuar për tensionet në veri të Kosovës.

Tensionet në veri të Kosovës u rritën qysh më 26 maj, kur Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe të hyjnë në zyrat komunale, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.

Blinken ka shprehur shqetësimet e tij lidhur me situatën e krijuar në veri të Kosovës disa herë, duke i bërë thirrje edhe Kosovës, edhe Serbisë që t’i kthehen dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, për normalizimin e marrëdhënieve.

Më 29 maj, nga përleshjet midis protestuesve serbë që kundërshtojnë kryetarët dhe ushtarëve të KFOR-it në Zveçan – 30 ushtarë mbetën të plagosur, ashtu si edhe dhjetëra protestues.

NATO-ja ka thënë se është e gatshme të dërgojë edhe më shumë trupa në Kosovë, për të qetësuar dhunën në veriun e vendit, të banuar me shumicë serbe, tha të enjten shefi i aleancës, Jens Stoltenberg.

Ai shtoi se 700 trupat e para përforcuese janë tashmë në rrugë për në Kosovë.

Kryetarët e rinj shqiptarë të komunave Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq kanë dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit, të cilat janë bojkotuar nga komuniteti serb./ REL