Bisedimet në Bruksel, zvarritje dhe pak gjasa për marrëveshje

498
Kryeministri grek Aleksis Tsipras ka lënë bisedimet me kreditorët ndërkombëtarë vonë pas mesnate, në orët e para të mëngjesit të sotëm, pa arritur asnjë marrëveshje mbi borxhin dhe krizën e vendit të tij.
Tsipras dhe kreditorët nuk bënë asnjë koment pas “luftës” së gjatë me njëri-tjetrin për të arritur në një kompromis që do të kënaqte dhe mbulonte interesat e të gjitha palëve.
Ngërçi i negociatave të së mërkurës erdhi pasi ministrat e financave të Eurozonës akuzuan Athinën se kanë refuzuar të bëjnë kompromis edhe pse afati për të paguar borxhin prej 1.6 miliardë euro skadon javën e ardhshme më 30 qershor.
Madje ministrat ndërprenë për rreth një orë negociatat, me argumentin se nuk kishte asnjë opsion marrëveshje për të diksutuar. Kryeminsitri grek kaloi të gjithë pasditen me presidentin e Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker, shefen e FMN-së Christine Lagarde, kreun e Bankës Qendrore Evropiane Mario Draghi dhe kryetarin e Eurogroupit Jeroen Dijsselbloem, por as me këta nuk u arrit asnjë progres.
Drafti i cili po komplikon marrëveshjen dhe që po zvarrit negociatat përfshin reformën e pensioneve, tatimet, ligjin e punës, pagat e sektorit publik, hapjen e vendeve të punës të mbyllura si pasojë e masave shtrënguese dhe investimet.
Megjithatë tashmë rreziku i daljes së Greqisë nga zona Euro sipas disa analistëve do të çojë patjetër në një pakt i cili me shumë gjasa do të kënaqë më shumë kreditorët ndërkombëtarë se sa Greqinë.
Në këtë pikë pritet një zemërim i popullit grek ndaj kryeminsitrit Tsipras dhe pyetja shtrohet sa do t’i kushtojë Tsipras nëse ky skenar materializohet?
Sigal