BE, shpërblim azilkërkuesve që ikin vullnetarisht

235
Vendet e Bashkimit Europian, të cilat po përballen me fluks azilkërkuesish nga Ballkani, sidomos Gjermania, duket se kanë gjetur një zgjidhje për të larguar refugjatët sa më shpejt nga shtetet e tyre, duke i stimuluar ata financiarisht. Por, ky stimulim është kthyer edhe në një formë biznesi për disa familje, të cilat gjuajnë shtetet që japin më shumë para për t’u kthyer mbrapsht vullnetarisht dhe për të tërhequr kërkesën për azil.
Gjermania, 600 euro për çdo azilkërkues
Përballë fluksit gjithnjë e në rritje të aplikimeve për azil në Gjermani, Qarku i Loerrach, pjesë e landit jugor të Baden Vutemberg është ndër të parët që ka vënë këtë skemë në zbatim për të larguar refugjatët, pasi shpenzimet e këtij rajoni janë shumë më të larta, duke i mbajtur aty emigrantët nga Ballkani. Autoritetet e zonës kanë vendosur që një familjeje prej tre personash t’i jepet shifra deri në 1.858 euro, me qëllim që këta të fundit të përballojnë koston e biletës për t’u kthyer në vendin e origjinës. Oferta vlen veçanërisht për azilkërkuesit nga Ballkani, ku përfshihen edhe shqiptarët. Kjo, pasi autoritetet thonë se gjasat më të mëdha janë që këta të kthehen në vendet e tyre sepse nuk kanë asnjë perspektivë për të marrë një leje të përhershme qëndrimi në Gjermani. Por, siç shkruajnë disa media gjermane, kjo ndihmë financiare do t’u jepet pikërisht atyre refugjatëve, që e tërheqin vullnetarisht kërkesën e tyre për azil. Ende nuk është e qartë sesi funksionon skema, e cila parandalon abuzimet që mund të ndodhin me këtë shpërblim, pasi mund të ketë nga ata persona, që marrin paratë por nuk largohen nga Gjermania. Por, siç raportohet, shuma prej 600 eurosh për person është shfrytëzuar nga disa azilantë, të cilët janë kthyer mbrapsht. Madje shumica e tyre nuk kanë përdorur fluturimet ajrore, por linjat e autobusëve, pasi biletat kushtojnë shumë herë më lirë. Qarku i Loerrach-ut deri më tani mendohet se ka shpenzuar rreth 65 mijë euro për të realizuar këtë program kthimi dhe autoritetet e kanë cilësuar si një sukses të tyre në kuadër të masave, që janë duke marrë për të zgjidhur kaosin me kërkesat e shumta të azilkërkuesve. Madje ata kërkojnë që ta kthejnë në një model, edhe për qarqe të tjera, që kanë problem shumë shqetësues fluksin e emigrantëve. Por ka edhe skeptikë për këtë nismë, pasi ata e cilësojnë dhënien e parave si një mundësi, që do të shfrytëzohet nga shumë refugjatë të tjerë. Një pjesë e mirë e atyre, që janë nisur drejt Gjermanisë nga Shqipëria apo Kosova, kanë shitur gjithçka kanë pasur dhe kanë paguar shuma të mëdha, me shpresën se do të fitojnë azilin.

Biznes me ofertën e shteteve të BE
Por përballë ofertave të tilla, disa kanë menduar të kthejnë në biznes kërkesën për azil. Organizata Ndërkombëtare për Migrim thotë se azilkërkuesit nga Ballkani, kryesisht ata nga Kosova, vijnë në Holandë për të përfituar nga tarifat e kthimit. Bëhet fjalë për një kompensim financiar për ata azilkërkues që pranojnë të kthehen vullnetarisht në vendet e origjinës. Përfitimi arrin në 1 750 euro për person, pra më shumë se dyfishi i Gjermanisë. Organizata merr si shembull azilkërkuesit shqiptarë që udhëtojnë nga Kosova në Europën Perëndimore dhe thotë që ata zgjedhin vendin ku kushtet janë më të mira dhe tarifat e kthimit janë më të larta. Sipas agjencisë së lajmeve ‘Een Vandaag’, Austria dhe Gjermania ishin destinacioni kryesor për azilkërkuesit shqiptarë. Por muajt e fundit ata kanë zbuluar Holandën. Azilkërkuesit shqiptarë në Holandë janë disa herë më të paktët se ata në Gjermani, ku rritja vijon të jetë në trend rritës. Në gjashtëmujorin e parë të 2015-s, në Holandë u regjistruan 281 azilkërkues, krahasuar me 50 në 2013 dhe 58 në 2014. Ndërsa nga Shqipëria në gjashtëmujorin e parë të 2015-s pati 113 azilkërkues, krahasuar me 32 në 2013 dhe 86 në 2014. Sipas Rodia Maas, drejtori i Agjencisë për Riatdhesim, qeveria e Holandës ka marrë disa sinjale që disa azilkërkues kanë ardhur për të përfituar nga fondet e kthimit. Maas deklaron që shumë shpejt pagesat të kthimit do të ndalohen për vendet të Ballkanit, siç ka ndodhur dhe me azilkërkuesit maqedonas në vitin 2011. Për deputetët Malik Azmani dhe Raymond Knoops abuzimi me fondet është i patolerueshëm dhe abuzime duhet të ndalen sa më shpejt. Ata kërkojnë nga qeveria që të merren sa më shpejt masa që ‘turizmi i azilkërkuesit’ nga Ballkani të ndalet sa më shpejt. Për dy deputetë është e pafalshme që azilkërkuesit udhëtojnë drejt Holandës për të marrë “një bonus për pushime”.