BE paralajmëron për rritje të sulmeve terroriste gjatë festave të fundvitit: Jemi përballë rrezikut

27
Sigal

Bashkimi Evropian ka paralajmëruar se po përballet me një “rrezik të madh” të sulmeve terroriste gjatë periudhës së festave të Krishtlindjeve në një shoqëri gjithnjë e më të polarizuar nga lufta Izrael-Hamas, sipas komisioneres për punët e brendshme.

Paralajmërimi, i lëshuar nga komisionerja Ylva Johansson, vjen disa ditë pasi një turist gjerman u godit me thikë për vdekje në Paris. I dyshuari, një francez 26-vjeçar, i cili vjen nga një familje iraniane, i është referuar grupit të Shtetit Islamik gjatë sulmit. Dy persona të tjerë gjithashtu kanë pësuar lëndime pasi janë goditur me çekiç.

“Me luftën midis Izraelit dhe Hamasit, dhe polarizimit që shkakton në shoqërinë tonë, me sezonin e ardhshëm të festave, ekziston një rrezik i madh i sulmeve terroriste në Bashkimin Evropian,” u tha Johansson gazetarëve të martën.

Johansson tha gjithashtu se BE-ja ka caktuar një fond shtesë prej 30 milionë eurosh në shpenzime për sigurinë, por nuk zbuloi detaje nëse komentet e saj bazoheshin në ndonjë paralajmërim specifik të shërbimeve inteligjente.