BE kërkon 10 muaj më shumë për targat: Të ketë fushatë informative gjatë kësaj kohe

86
Sigal

Ndonëse Bashkimi Evropian e ka bërë të qartë se vendimi i Kosovës për riregjistrimin e targave është legjitim, megjithatë insiston në kërkesën paraprake që Qeveria e Kosovës ta shtyjë afatin ekzistues për 10 muaj.

Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, i cili ka theksuar që kjo shtrirje do të mundësonte një fushatë informative dhe konsultime më thelbësore.

“Sipas Marrëveshjeve të Dialogut për Lirinë e Lëvizjes nga viti 2011 dhe 2016, është e rëndësishme që t’i jepet kohë e mjaftueshme zbatimit të këtij plani dhe të përgatitet dhe zbatohet në konsultim të ngushtë me qytetarët e prekur dhe në përputhje me praktikat e duhura evropiane. Konkluzionet e Lirisë së Lëvizjes nga viti 2016 përfshinin afate kohore për riregjistrim, të cilat duhet të ofrojnë udhëzime”.

“Prandaj, që nga fillimi i këtij procesi, ne i kemi rekomanduar Qeverisë së Kosovës që të vendosë një periudhë 12 mujore për riregjistrimin. Duke ndjekur të njëjtin arsyetim, tani po kërkojmë nga qeveria e Kosovës që të shtyjë afatin ekzistues për 10 muaj. Kjo shtrirje do të mundësonte një fushatë informative dhe konsultime më thelbësore dhe gjithëpërfshirëse me popullsinë e prekur”, ka thënë Stano në një përgjigje për RTV Dukagjinin.

Sipas tij, kjo gjithashtu do t’i mundësonte Kosovës që të gjithë serbëve të Kosovës në veri t’u lëshohen letërnjoftime dhe patentë shoferi të Kosovës.

Stano ka potencuar se duhet të shmanget eskalimi i tensioneve dhe situatës në veri të vendit.

“Duhet të shmanget përshkallëzimi i tensioneve dhe potencialisht, dhuna në veri të Kosovës. Kjo është e një rëndësie të veçantë në kontekstin aktual gjeo-politik, në funksion të ruajtjes së stabilitetit në rajon”, shtoi ai.

Në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, u shpreh se teksa po afrohet fundi i afatit për regjistrim të targave ilegale në RKS, janë rreth 90 për qind e pronarëve që e kanë shfrytëzuar afatin.

Sipas saj, pakica prej 10 për qind e veturave me targa ilegale, kanë afat edhe dy javë për t’i regjistruar në RKS.

Ndërkaq, Ministria e Punëve të Brendshme ka thënë se se deri më tani vetëm 15 qytetarë i kanë konvertuar targat e automjeteve nga targat ilegale në të rregullta RKS.

“Nga Regjioni 06, kemi 6 automjete, nga regjioni 02 kemi 5 automjete, nga Regjioni 04 – kemi 2 automjete dhe nga Regjioni 01 kemi 2 automjete”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Ndër të tjera, thuhet MPB do të vazhdojë fushatën intensive anembanë Kosovës që deri më 31 tetor ky proces të përmbyllet.

MPB-ja ka theksuar se qytetarët që kanë kthyer veturat në targa legale kanë pësuar, dhe se qytetarët në veri janë frikësuar e kërcënuar nga grupet ilegale kriminale.

“Fatkeqësisht, dy rastet në veri të vendit, ai në Leposaviq dhe në Zveçan janë shoqëruar me incidente. Vetura e parë që është regjistruar në veri, e një rreshteri policor të Kosovës, i cili ka bërë kthimin e veturës në targa RKS, të njëjtit në orët e mbrëmjes i është sulmuar shtëpia dhe i është djegur një pjesë e saj. Po ashtu, në Zveçan një qytetari serb iu dogj depo pasi ai kishte regjistruar veturën e djalit të tij”, thuhet tutje.

Kjo ministri ka thënë se është e përkushtuar që ta përfundojë me sukses procesin.

“Targave KM, GL, PR, PZ, DE, UR, etj, që janë denominime serbe për qytetet e Republikës së Kosovës, u ka skaduar afati i përdorimit qysh në shtator të vitit të kaluar. Ne, në anën tjetër, para afatit të skadimit, po hapim afat të konvertimit me lehtësime financare. Përmes një afati prej dy muajsh, ne po ofrojmë një dritare të re të konvertimit të këtyre targave, që janë relikt e pushtetit të Millosheviqit, me lehtësime të theksuara financiare që arrijnë vlerën deri në 5 mijë euro”, thuhet tuje.

Ndër të tjera, është bërë e ditur se që nga dita e parë e fillimit të regjistrimit të veturave ka pasur një interesim të madh të qytetarëve, por i njëjti interesim ka qenë edhe në veri.

Në anën tjetër, i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili javën që shkoi ishte në Beograd dhe Prishtinë ka thënë se “është vetë Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, që ka kërkuar nga Kosova që ta shtyjë për 10 muaj afatin për konvertimin e targave ilegale të Serbisë në ato të Kosovës”.

“Biseda jonë për këtë është ende në një fazë të ndjeshme. Shpresoj shumë që do të zgjasin afatin, shpresoj se do të pranojnë kërkesën e vendeve të QUINT-it dhe kërkesën personale të Sekretarit të Shtetit Antony Blinken për ta shtyrë atë, për ta bërë zbatimin më pak kaotik dhe për të krijuar kushtet për zbatimin e duhur”, ka thënë Escobar gjatë qëndrimit në Beograd.

Sipas tij, nëse Kosova pranon të shtyjë afatin, atëherë, gjatë këtyre dhjetë muajve “do t’iu kërkohet të bëjnë një fushatë informuese, të kryejnë më shumë konsultime me komunitetet që do të preken prej saj dhe të kenë më shumë koordinim me komunitetin ndërkombëtar”.

Edhe pse komuniteti ndërkombëtar nuk dëshiron tensionimin e situatës pas datës 21 tetor kur edhe skadon afati i përdorimit të targave serbe, megjithatë Qeveria e Kosovës ende nuk e ka konfirmuar nëse do të shtyhet afati apo jo.