BE i siguron Greqisë financimin, Varoufakis: Programi i reformave do dështojë

503
Negociatave për paketën e tretë të ndihmës për Greqinë iu hap tani rruga. Shtetet e BE-së i sigurojnë Athinës një financim kalimtar prej shtatë miliardë eurosh. Tsipras nxjerr jashtë kritikët. Para negociatave, që do të zhvillohen për paketën e tretë të ndihmës, vendet e BE i siguruan Greqisë një financim kalimtar, në mënyrë që ajo të mund të paguajë kreditë e prapambetura të hënën. 28 shtetet anëtare miratuan të premten dhënien e shtatë miliardë eurove nga fondi i vjetër i shpëtimit EFSM, bëri të ditur zëvendëspresidenti i Komisionit të BE-së Valdis Dombrovskis. Të hënën do të hapen përsëri bankat, por kufizimi i shumave, që mund të tërhiqen, mbetet.
Bundestagu aprovon bisedimet për ndihma të tjera për Greqinë
Bundestagu gjerman votoi të premten pasdite në favor të programit të tretë të ndihmës. Nga 598 deputetët që votuan, 439 votuan pro, bëri të ditur kryetari i Parlamentit Norbert Lammert pas seancës së posaçme në Berlin. 119 votuan kundër kërkesës së qeverisë dhe 40 abstenuan. Parlamenti gjerman i dha në këtë mënyrë qeverisë mandatin që të negociojë në kuadër të vendeve të Eurozonës për kredi të tjera ndihme deri në 86 miliardë euro. Bundestagu do të votojë përsëri për rezultatin. Kjo pritet të ndodhë pas disa javëve. Deri atëherë Greqia e rrezikuar nga falimentimi do të mbahet në jetë me një financim kalimtar, i cili u miratua gjithashtu nga deputetët. Votimi u parapri nga debate të ashpra. Të Gjelbrit dhe të Majtët akuzuan koalicionin se me kursime dhe reforma do t’i merret edhe më shumë fryma ekonomisë së vendit mesdhetar.
Parlamenti gjerman votoi në favor të mbështetjes së Greqisë
Me gjithë përpjekjet për të promovuar paketën e re të ndihmës kancelarja Angela Merkel bëri të qartë se qeveria e saj nuk i quan të mjaftueshme deklaratat e Athinës për realizimin e synimeve. Që brenda partisë së saj ka më shumë rezerva në lidhje me Greqinë, u bë e qartë gjatë votimit: 65 deputetë të grupit të saj parlamentar CDU/CSU votuan kundër programit të ri të ndihmës për Greqinë, duke devijuar në këtë mënyrë nga linja e qeverisë dhe e udhëheqjes së grupit parlamentar.
Shans i vërtetë për Greqinë
Edhe parlamenti austriak dha miratimin e tij të premten pas një debati të nxehtë. Kancelari austriak Werner Faymann foli për një “shans të vërtetë” për Greqinë. Më parë kishin thënë po edhe parlamente të tjera të shteteve të Eurozonës duke përfshirë edhe Francën dhe Finlandën. Shefi i Eurogrupit Jeroen Dijsselbloem përshëndeti votat e Berlinit dhe Vjenës për hapjen e rrugës për negociatat për një program të tretë të ndihmës. “Kjo nuk do të jetë e lehtë”, paralajmëroi Dijsselbloem.”Ne jemi të sigurtë se në vitet e ardhshme do të ballafaqohemi me disa probleme, por besoj se do të jemi në gjendje t’i zgjidhim.” Vendet e Eurozonës kanë tani kohë deri në gjysmën e dytë të muajit gusht, për të përgatitur programet e ndihmave, tha Dombrovskis para gazetarëve. Ai shpreson se do të ketë një financim afatgjatë dhe nuk do të jenë më të nevojshme kredi të tjera emergjente. Sipas vlerësimeve të donatorëve ndërkombëtarë Greqisë në tre vitet e ardhshme i nevojiten 82 deri 86 miliardë euro. Programi ESM do të përfshijë rreth 50 miliardë euro. Pjesa tjetër e parave do të vijë përmes FMN-së dhe të privatizimeve në Greqi. Athina nga ana e saj është e detyruar të zbatojë masat e kursimit dhe të reformave, disa nga të cilat u miratuan të mërkurën në parlament.
Varoufakis: Programi i reformave do të dështojë. As Tsipras s’e beson
Ish-ministri grek i Financave paralajmëroi se reformat e propozuara nga qeveria Tsipras për marrjen e paketës së tretë të ndihmës financiare nga huadhënësit ndërkombëtarë, do të dështojnë. Në një intervistë për BBC, Yanis Varoufakis tha se Greqia është subjekt i një programi që do të hyjë në histori si katastrofa më e madhe e parë ndonjëherë në menaxhimin makroekonomik. “Ky program do të dështojë, pavarësisht se kush do ta zbatojë atë”, tha Varoufakis. I pyetur se sa kohë do të duhet për ta kuptuar këtë ai u përgjigj: Ka dështuar që tani. Varoufakis u dorëhoq pas referendumit të 5 korrikut, një veprim që u vlerësua si protestë ndaj Eurozonës dhe homologëve të tij të Bashkimit Europian, me të cilët u përplas vazhdimisht gjatë bisedimeve për krizën e borxhit. Për të, kryeministri Alexis Tsipras nuk beson tek paketa e re e borxhit, por nuk kishte zgjidhje tjetër përveçse ta nënshkruante atë. “Na u dhanë dy mundësi; ekzekutimi dhe kapitullimi. Ai vendosi kapitullimin si strategji të fundit”, deklaroi Varoufakis.
Brenda të mërkurës së ardhshme, Parlamenti grek do të duhet të miratojë reformat e kërkuara nga huadhënësit ndërkombëtare, reforma që parashikojnë të tjera masa shtrënguese për financat e vendit dhe që janë kusht për nisjen e lëvrimit të huasë prej 86 miliardë eurosh. Të premten Parlamenti gjerman i dha dritën jeshile qeverisë së Angela Merkel për të nisur bisedimet mbi detajet e marrëveshjes së arritur në parim. Bisedimet priten të jenë të vështira dhe këtë e paralajmëroi edhe kreu i Eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem, kur tha se pret që ato të zgjasin rreth 1 muaj. Po të premten, kryeministri Tsipras riformatoi kabinetit të tij duke shkarkuar tre ministra që nuk mbështeten në votimin parlamentar masat e propozuara nga ai, si kusht për marrjen e paketës së ndihmës prej 86 miliardë euro nga huadhënësit, lëvizje që është komentuar si spastrim përfaqësuesve të Plaformës Ekstreme të Syrizës nga qeveria. Dhjetë portofole qeveritare ndryshohen ose zëvendësohen me futjen e shtatë anëtarëve të rinj në qeveri, ndërsa komunikimi i ndryshimeve është bërë për herë të parë në historinë greke të pasluftës me komunikatë për shtyp, për shkak të situatës tepër kritike në vend, që kanë shkaktuar mbi 50 vatrat e zjarrit në të gjithë Greqinë. Riformatimi i kabinetit është bërë në të njëjtën dite kur Parlamenti gjerman me shumicë votash i ka dhënë të drejtën qeverisë së kancelares Merkel të negociojë për paketën e shpëtimit të Greqisë.
Sigal