Autostrada Prishtinë-Shkup, Mustafa: Udhëkryq që lidh Kosovën, Shqipërinë dhe Maqedoninë

451
Kryeministri Isa Mustafa deklaroi sot, në përurimin e lidhjes së autostradave drejt Shqipërisë e Maqedonisë se, ky është një projekt i cili i mundëson Kosovës që të arrijë standardet e shteteve të Bashkimit Evropian, në infrastrukturën rrugore. Përurimi sot ishte edhe për segmentin e parë të autostradës në ndërtim që lidh Prishtinën me Shkupin, e cila deri në kufi me Maqedoninë në Han të Elezit në tërësi do të jetë e gjatë rreth 60 kilometra. “Sot po përurojmë lidhjen e autostradës ‘Ibrahim Rugova’ me autostradën ‘Arbër Xhaferi’, që është një vepër e madhe për ne dhe tepër e rëndësishme. Ky udhëkryq këtu konsiderohet si më i madhi në këtë rajon, që lidh Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë. Na lidh me Prizrenin, Shkupin, Tiranën dhe vendet tjera të Ballkanit Perëndimor. Ajo që na gëzon është se janë punë shumë cilësore të cilat po bëhen”, tha kryeministri Mustafa.

Duke bërë të ditur se ky është një projekt i cili Buxhetit të Kosovës i kushton rreth 600 milionë euro, kryeministri po ashtu tha se kjo është një vepër tepër e rëndësishme për Kosovën, sepse do të përfitojnë qytetarët, do të përfitoj ekonomia dhe do të përfitojnë lidhjet e Kosovës me shtetet fqinje dhe miqtë e saj. “Ky është edhe një projekt i cili na mundëson që ne të arrijmë kompleksin e projekteve që po i realizojmë bashkë me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, me të cilat po bëjmë përpjekje që të arrijmë standardet që kanë shtetet e BE-së. Ne kemi arritur një marrëveshje të rëndësishme me FMN-në, e cila do të na mundësojë që ne të ndërtojmë edhe rrugë të tjera të rëndësishme për vendin”, tha Mustafa. Këtë autostradë, vijoi ai, do ta lidhim edhe me autostradën për Gjilan, do të vazhdojmë deri në Podujevë me autostradën “Ibrahim Rugova” dhe do të bëjmë lidhjen për Nish (qytet në Serbi.

“Do të zgjerojmë rrugën për Mitrovicë dhe do të arrijmë në Mitrovicë me autostradë, e po ashtu do të rikonstruktojmë linjën hekurudhore që na lidh nga Hani i Elezit deri në Leshak”, tha kryeministri Mustafa, duke shtuar se këto rezultate dhe suksese të mëdha do të jenë në shërbim të qytetarëve kosovarë, rajonit dhe miqve të Kosovës. Kryeministri Isa Mustafa po ashtu falënderoi Bechtel & Enka-n për punën e mirë që ka bërë dhe miqtë e Kosovës për përkrahjen në këto projekte. Për rëndësinë e kësaj vepre, para të pranishmëve folën edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie, ambasadorja e Turqisë, Kivilcim Kiliç, dhe ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku. Gjatë vitit 2016 pritet fillimi i ndërtimit të autostradës Shkup-Bllacë (kufiri me Kosovën), me qëllim plotësimin e autostradës “Arbën Xhaferi” në pjesën maqedonase.
Sigal