Asgjesohet rrjeti që fuste drogë në burgjet greke. Pranga për 7 shqiptarë

539
Policia greke ka asgjesuar një rrjet i cili trafikonte drogë dhe telefona celularë në burgjet e vendit.

Fillimisht është arrestuar një gardian i burgut Agios Stefanos të Patras. Në makinën e 48 vjeçarit, u gjetën 1,131 gr kanabis, 41,5 gr kokainë dhe tre telefona celularë.

Operacioni vazhdoi me arrestimin e 11 personave të tjerë, 9 prej të cilëve ndodhen prej kohësh në burg, duke vuajtur dënime të ndryshme. 7 prej tyre janë shqiptarë, të moshës nga 29 deri 42 vjeç, ndërsa dy të tjerët janë shtetas grekë.

Grekë janë gjithashtu dhe dy të arrestuarit e tjerë, një 21 vjeçar dhe një grua 50 vjeçe, që kanë lidhje farefisnore me të burgosurit.

Siç rezultoi nga hetimet paraprake, rrjeti e kishte nisur aktivitetin të paktën që prej shtatorit 2016.

Të burgosurit e arrestuar merrnin nga bashkëvuajtësit e tyre porosi për kanabis, heroinë dhe kokainë, si dhe celularë, që ua shisnin kundrejt shumave të mëdha. Porosia pastaj kalonte tek gardiani që ua përcillte 21 vjeçarit dhe 50 vjeçares.

Pasi këta siguronin sasitë e nevojshme, ia jepnin gardianit, i cili, duke shfrytëzuar detyrën e vet i kalonte pa problem nga postblloqet e burgjeve të zonës.

Vetëm 48 vjeçari vlerësohet se ka përfituar nga aktiviteti i paligjshëm më shumë se 26.000 euro.

Gjatë kontrollit në banedsën e tij u gjetën dhe u sekuestruan një tablet si dhe 8 telefona celularë. 7 celularë të tjerë dhe sasira të vogla kanabisi u gjetën në banesën e 50 vjeçares.

Ndërsa gjatë kontrollit në banesën e 21 vjeçarit grek u gjetën dhe u sekuestruan 6 qese plastmasi me 1,3 kg kanabis, një peshore precizioni dhe 3 celularë.

Gjithashtu u sekuestruan edhe dy automjete që sipas policisë përdoreshin për nevojat e trafikimit.

Gjithë të arrestuarit pritet tani që të dalin para prokurorit të Patras.
Sigal