Arrestimet në Serbi, Kukan:S’ka progres pa përballje me të kaluarën

435
Duke u përgjigjur pyetjes mbi arrestimet e djeshme të tetë të akuzuarve për krimet në Srebrenicë, kryesuesi i Delegacionit të Parlamentit Evropian për Serbinë, Eduard Kukan, tha se çdo vend duhet të ballafaqohet me të kaluarën nëse dëshiron të përparojë.
Në një prononcim për Anadolu Agency (AA), Kukan tha se e di se është e vështirë, por se beson në të ardhmen e Serbisë.
“Shpresoj se çdo vend do të ballafaqohet me të kaluarën, nëse dëshiron të përparojë, ky është një proces mjaft i komplikuar, por nuk ekziston asnjë tjetër mënyrë përveç ballafaqimit”, tha Kukan dhe shtoi se ky ballafaqim duhet të jetë pjesë e këtyre proceseve të ardhshme.
Kukan në Kuvendin e Serbisë u takua me kryetaren Maja Gojkoviç dhe mori pjesë në hapjen e ekspozitës të artit naiv të sllovakëve në Serbi. Kryetari i Komisionit Parlamentar të Stabilizim- Asociimit BE-Serbi, së bashku me delegacionin e parlamentarëve evropian kishte dy takime të ndara me Kryeministrin e Serbisë Aleksandar Vuçiç dhe ministrin e Jashtëm Ivica Daçiç.
Duke përcjellë përshtypjet nga këto takime, Kukan tha se kryeministri i Serbisë i ka bindur në përkushtimin e tij, si dhe përkushtimin e Qeverisë, që Serbinë të dërgojnë në BE.
Parlamenti Evropian, siç vlerëson Kukan, është në anën e hapjes së kapitujve negociues, por ky vendim duhet të merret nga Komisioni Evropian dhe se kjo do të varet nga progresi i Serbisë.
Nga Qeveria e Serbisë është njoftuar se kryeministri Vuçiç në takimin me delegacionin e Parlamentit Evropian, theksoi se anëtarësimi në BE është qëllimi strategjik i Serbisë, dhe se Qeveria është e vendosur të përmbushë qëllimet në procesin e integrimeve evropiane.
“Do të bëjmë gjithçka për të mbrojtur stabilitetin politik dhe ekonomik të vendit dhe rajonit”, tha Vuçiç, ku theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe rikujtoi projektet e infrastrukturës që Serbia propozon për të lidhur rajonin.
Parlamentarët evropian theksuan edhe kontributin e Qeverisë të Serbisë në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. /AA/ 
Sigal