Andrea Nahles, kryetarja e SPD-së jep dorëheqjen/ Koalicioni qeverisës gjerman në rrezik

487
Sigal

Koalicioni qeverisës gjerman ka marrë një goditje të rëndë me dorëheqjen e Andrea Nahles, kryetares së socialdemokratëve (SPD).

Në një deklaratë për mediat, Nahles tha se donte t’i jepte partisë mundësinë për të zgjedhur pasardhësin e saj në një mënyrë të rregullt.

Zgjedhja e pasardhësit të Nahles mund të jetë vendimtare për Kancelaren Angela Merkel, partia e së cilës CDU, udhëheq qeverinë gjermane në një koalicion me SPD-në.

Sipas “Deutche Welle”, një lider që shkon më shumë drejt të majtës i SPD-së, mund të nxjerrë partinë nga koalicioni duke i dhënë fund udhëheqjes së Merkelit.

“Diskutimet brenda grupit parlamentar dhe shuma e madhe e reagimeve nga partia më kanë treguar se nuk ka më mbështetje për mbajtjen e këtyre zyrave”,shkruante Nahles në një deklaratë për anëtarët e SPD-së.

Ajo shtoi se të hënën do të heqë dorë nga funksioni, ndërsa një ditë më pas do të hapet gara për kreun e grupit parlamentar.

Dorëheqja e Nahles vjen pas rezultatit të dobët të partisë së saj në zgjedhjet e BE-së në maj, ku SPD mori më pak se 16 për qind të votës duke humbur bastione të cilat i mbanin që nga Lufta e Dytë Botërore.

Koalicioni CDU-SPD, numëron 398 mandate në Bundestagun gjerman dhe kalim i SPD-së në opozitë do i mohonte shumicën qeverisëse kancelares Merkel.

Nahles duket se do të tërhiqet fare nga karriera e saj politike. Duke cituar një zëdhënës të partisë, grupi “Funke Media” raportoi se Nahles ka ndërmend të japë dorëheqjen në Bundestag.