Amerika feston Ditën e Punëtorëve

528
Është Dita e Punëtorëve këtu në Shtetet e Bashkuara, një festë kombëtare që shënohet në të hënën e parë të shtatorit dhe që nderon punëtorët amerikanë dhe kontributin e tyre për ekonominë e vendit.
Amerika e feston këtë ditë që në 1894, kur u shpall festë kombëtare pas një fushate të fortë nga sindikatat e vendit. Në atë periudhë sindikatat ishin shumë aktive dhe arritën suksese të njëpasnjëshme në vendosjen e standardeve të sigurisë në vendin e punës, duke kufizuar ditën e punës në tetë orë, duke krijuar pushimin e fundjavës dhe duke kërkuar mbrojtje për punonjësit nga presioni apo keqtrajtimi në punë.
Gjatë dekadave, antarësimi në sindikata ka rënë ndjeshëm, me intensifikimin e teknologjisë dhe globalizimin e ekonomisë. Por përfitimet dhe mbrojtjet që iu siguruan punëtorëve falë punës së sindikatave, si pushimet verore, sigurimet shëndetësore dhe të papunësisë, vazhdojnë të respektohen për një pjesë të mirë të krahut amerikan të punës.
Për shumë amerikanë Dita e Punës është deri diku epilogu i pushimeve verore, pasi pas kësaj dite fillojnë shkollat, moti fillon të ftohet dhe shumë pika pushimi mbyllin sezonin.
Amerikanët e festojnë këtë ditë në plazhe, në parqe kombëtare, ose me pikniqe të organizuara me miq e të afërm.
Sigal