Ambasada amerikane organizon takim në Prishtinë për Asociacionin, Kurti: Nuk jam ftuar

97
Sigal

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk është ftuar në një takim që do ta organizojë Ambasada amerikane në Prishtinë më 31 janar, e ku do të diskutohet për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Kurti tha se ky takim do të zhvillohet si pasojë e insistimit të të dërguarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Ai tha se ka pritur nga Escobari që të thotë në Beograd se Serbia duhet ta njohë Kosovën, e jo të thotë në Prishtinë se Asociacioni do të bëhet, pavarësisht kryeministrit të Kosovës.

Duke folur për planin evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, Kurti tha se ai nuk i është prezantuar në formën “merre ose lëre”, por si platformë për diskutim të mëtutjeshëm.

Ai përsëriti se propozimi evropian është bazë e mirë për diskutim, por tha se nuk përmban gjithçka që Kosova do të dëshironte.

Kurti, po ashtu, tha se pret dialog intensiv me Serbinë, në mënyrë që të mund të arrihet një marrëveshje sipas afatit të përmendur kohor, përkatësisht marsi i vitit 2023.

Radio Evropa e Lirë: Zoti kryeministër, Kosovës dhe Serbisë u është propozuar ai që tani po quhet plan evropian për normalizimin e marrëdhënieve, i mbështetur edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. A e pranoni ju këtë plan?

Albin Kurti: Qysh në vjeshtën e vitit të kaluar, unë kam thënë se propozimi i Bashkimit Evropian, i mbështetur nga Franca, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është bazë e mirë për diskutime të mëtutjeshme, është platformë e kornizë e përshtatshme për të ecur përpara.

Andaj, kam qenë përherë konstruktiv në qasjen ndaj këtij propozimi, i cili e ka gjuhën e koncepteve dhe nocioneve – le të themi – universale, sikurse pavarësia, integriteti territorial, sovraniteti, pastaj demokracia, sundimi i ligjit, vetëvendosja. Pra, gjëra që i kemi afirmuar gjithmonë si Republikë e Kosovës dhe si popull – ndër vite e dekada./REL