Aleksandar Vuçiç: Negociatat për anëtarësimin në BE i përfundojmë brenda 2019-tës

428
Serbia llogarit që të mbyllë negociatat me Bashkimin Evropian brenda fundit të vitit 2019 duke ia lënë më pas unionit vendimin për anëtarësimin e saj, deklaroi sot kryeministri serb, Aleksandar Vuçiç, pak ditë nga hapja e dy kapitujve të parë negociues BE-Serbi, të hënën e ardhshme në Bruksel. Duke folur së bashku me eurokomisionerin e BE-së për Zgjerimin, Johannes Hahn, me të cilin Vuçiç kishte sot një takim në Beograd, kryeministri serb theksoi rëndësinë që ka për vendin e tij hapja e këtyre negociatave.

“Kemi punuar shumë për të arritur në këtë pikë, edhe pse shumë ngelet ende për t’u bërë”, nënvizoi Vuçiç, i cili falenderoi Hahnin për mbështetjen e vazhdueshme ndaj rrugës evropiane të Serbisë. Hahn u takua edhe me kryetaren e parlamentit serb, Maja Gojkoviç si edhe mbajti një fjalim para deputetëve, ku përgëzoi përpjekjet e e Beogradit për integrimin evropian, sidomos në fushën e reformave, në dialogun me Prishtinën dhe për kontributin për paqen dhe stabilitetin rajonal.
Sigal