Albin Kurti nuk lejohet të kandidojë në zgjedhje

26
Sigal

Albin Kurti nuk do të kandidojë në zgjedhjet që do të mbëhen më 14 shkurt në Kosovë.

PZAP-i (Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa) ka vendosur kundër ankesave të subjekteve politike lidhur me moscertifikimin e kandidatëve të tyre, ku pretendohej se një kandidat mund të jetë në listë nëse vendimi gjyqësor me të cilin është dënuar nuk prodhon pasoja juridike.

Rast të ngjashëm ka edhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe në bazë të këtij vendimi edhe ai nuk do të mundë të jetë kandidat për deputet.

Deri tani PZAP-i ka publikuar vetëm vendimin për Partinë e Ashkalinjve për Integrim, dhe aty shpjegon se një person nuk mund të jetë kandidat për deputet edhe nëse vendimi gjyqësor për atë person nuk ka prodhuar pasoja juridike.

Lideri i LVV-së Albin Kurti është i dënuar me burgim me kusht, gjë që llogaritet se vendimi gjyqësor nuk ka prodhuar pasojë juridike. Por sipas PZAP-it edhe në këtë rast, sipas Nenit 29, pikës 1, shkronja q, të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë, një personi që është i dënuar për vepër penale me vendim të prerë nuk i lejohet kandidimi për deputet, shkruan gazeta online “Reporteri.net”.

“Lidhur me pretendimet se kandidatët si në pikën I të dispozitivit të këtij vendimi nuk u është shqiptuar dënim që krijon pasoja sipas dispozitave të Kodit Penal, Paneli vlerëson se dispozita nga Neni 29, par. 1, pika 1) të LZP-së nuk kërkon që të ketë pasojë juridike në raport me llojin e sanksionit penal. Në këtë kontekst edhe rrethanat tjera të Nenit 29 të LZP-së mundësojnë kufizimin e certifikimit, madje jo vetëm kur kandidati ka një vendim penal të formës së prerë, mbi dënimin e tij, por edhe kur ekziston nën akuzë nga tribunali, siç është pika n), të Nenit 29 të LZP-së”, thuhet në vendimin e PZAP-it.

Vendimi i PZAP-it vjen pasi LVV-ja dhe parti të tjera ishin ankuar për moscertifikim të disa propozimeve të tyre për kandidatë për deputetë, në këtë mes edhe për liderin e LVV-së, Albin Kurti.