Al-Kaeda merr përgjegjësinë për sulmin në një bazë amerikane, ku mbetën të vrarë tre ushtarakë

408
Sigal

Grupi Al-Kaeda që operon në Gadishullin Arabik (AQAP) mori përgjegjësinë të dielën për një sulm ndaj një baze amerikane, gjatë të cilit u vranë tre ushtarakë në muajin dhjetor. Njoftimi u bë në internet nga vetë grupi.

“Alshamrani kreu operacionin në një nga çerdhet e së keqes … në stacionin detaro-ajror amerikan në Pensacola“, shprehej në një mesazh video të postuar të dielën drejtuesi i grupit, duke iu referuar Mohamed Alshamranit, një 21-vjeçari i cili kreu sulmin në fund të vitit të kaluar. Mohamed Alshamrani një ushtarak i një grade të ulët i Forcave Ajrore të Mbretërisë Saudite po trajnohej në bazën amerikane që ndodhet në Pensacola të Floridës.

Kreu i AQAP-it, Qassim al-Rimi tha në video-mesazh se Alshamrani kishte lëvizur përreth bazave amerikane “për disa vjet” për të përcaktuar objektivin që do të godiste.

Alshamrani vrau tre ushtarakë amerikanë dhe plagosi tetë të tjerë të cilët ndodheshin në bazë, më 6 dhjetor.

Në atë kohë, hetuesit nuk gjetën prova që Alshamrani ishte i lidhur me një grup terrorist, por ata mësuan se ai kishte publikuar postime me përmbajtje anti-amerikane dhe anti-Izraelit në mediat sociale përpara sulmit, përfshirë dhe një mesazh të postuar më 11 Shtator, ku shkruhej “numërimi mbrapsht ka filluar”.

Pas sulmit dhe fillimit të hetimeve mbi këtë çështje njëzet e një ushtarakë sauditë që po trajnoheshin në bazën amerikane, u dërguan përsëri në Arabinë Saudite.