Akuzat për ngacmim seksual, Guvernatori i Nju Jorkut e pranon: Sjellja ime me gratë mund të ketë qenë…

25
Sigal

Guvernatori i Nju Jorkut Andrew Cuomo pranoi për herë të parë të dielën se disa nga sjelljet e tij me gratë “mund të kenë qenë të papërshtatshme ose më personale sa duhet”. Ai shtoi se do të bashkëpunonte me hetimet që kanë nisur nga zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Shtetit lidhur me akuzat ndaj tij për ngacmime seksuale.

Në një deklaratë të lëshuar të dielën, mes kritikash në rritje nga brenda partisë së tij, demokrati pohoi se ai kurrë nuk kishte prekur ose propozuar në mënyrë të papërshtatshme askënd. Por ai tha se kishte ngacmuar të tjerë lidhur me jetën e tyre personale në një përpjekje për të bërë “shaka”.

“Tani e kuptoj që ndërveprimet e mia mund të kenë qenë të pamenduara ose tepër personale dhe se disa nga komentet e mia, duke pasur parasysh pozicionin tim, i bëjnë të tjerët të ndihen në një mënyrë që unë se kisha kurrë si qëllim. E pranoj se disa nga gjërat që kam thënë janë keqinterpretuar si një flirt i padëshiruar e më vjen vërtet keq për këtë”, tha ai.

Zoti Cuomo, një nga guvernatorët më të njohur në SHBA, po përballet me sfidat më serioze të dekadës së tij në detyrë, pas pretendimeve që ai ka ngacmuar seksualisht të paktën dy gra të cilat kanë punuar për të. Demokratët e Nju Jorkut dhe në shtete të tjera nuk po e mbështesin, duke e lënë atë gjithnjë e më të izoluar.

Pranimi i pjesshëm nga ana e tij për sjellje të gabuar vjen pas një dite debatesh se kush duhet të hetojë sjelljen e tij në vendin e punës.

Në fund të ditës, zoti Cuomo pranoi kërkesën që të jetë Prokurorja e Përgjithshme Letitia James, e cila do të kontrollojë hetimin.

Thirrjet për një hetim u forcuan pasi një ish-punonjëse e dytë e administratës së zotit Cuomo doli publikisht të shtunën me pretendime për ngacmim.

Charlotte Bennett, një ndihmëse e nivelit të ulët në administratën e guvernatorit deri në nëntor, i tha gazetës “The New York Times” se zoti Cuomo i kishte bëre pyetje në lidhje me jetën e saj seksuale, përfshirë edhe nëse ajo kishte pasur ndonjëherë marrëdhënie seksuale me burra të moshuar. Ai i kishte bërë edhe komente të tjera që ajo i interpretoi se i ishin bërë për të vlerësuar interesin e saj për të patur një marrëdhënie.

Akuza e saj erdhi disa ditë pasi një ish-ndihmëse tjetër, Lindsey Boylan, ish-këshilltare për çështje të zhvillimit ekonomik, shtjelloi akuzat ndaj zotit Cuomo për ngacmim, të cilat i bëri të njohura për herë të parë në dhjetor. Zonja Boylan tha se zoti Cuomo e kishte puthur pa dëshirën e saj dhe se i kishte bërë komente në lidhje me pamjen e saj te jashtme.

Guvernatori 63 vjeçar tha se ai kishte patur ndërmend t’i shërbente si mentor zonjës Bennett, e cila është 25 vjeç. Ai i ka hedhur poshtë akuzat e zonjës Boylan.

Të dielën Prokurorja e Përgjithshme Letitia James dhe zyrtarë të tjerë kryesorë të partisë hodhën poshtë dy nga propozimet e zotit Cuomo për mënyrën se si mund të zhvillohej një hetim mbi këtë çështje.

Sipas planit të tij të parë, një gjykatëse federale në pension, ei zgjedhur nga zoti Cuomo, Barbara Jones, do të kishte rishikuar sjelljen e tij në vendin e punës. Në propozimin e dytë, të njoftuar të dielën në mëngjes në një përpjekje për të qetësuar udhëheqësit e Kongresit, zoti Cuomo i kërkoi zonjës James dhe Kryeprokurores së Gjykatës së Apelit të Nju Jorkut, Janet DiFiore, që të caktonin së bashku një prokuror për të hetuar e të nxirrnin një raport publik.

Zonja James i refuzoi të dyja propozimet, duke kërkuar që t’i jepej autorizimi që zyra të merrte në dispozicion dokumente e dëshmi mbi çështjen.

Shumë nga emrat kryesorë të politikës në Nju Jork mbështetën vendimin e zonjës James.