Ahmet Davutoglu: Asnjë shtet nuk kërkon falje për përgjegjësitë e përmbushura

385
Kryeministri turk, Ahmet Davutoglu dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg pas takimit të sotëm në Bruksel mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat, ku dhanë qëndrimet e tyre në lidhje me rrëzimin e avionit rus, që shkeli hapësirën ajrore turke. “Biseduam në lidhje me rrëzimin e avionit rus me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg. Ajo që ne kishim bërë ishte në lidhje me mbrojtjen. Hapësira jonë ajrore u shkel tre herë nga Rusia. Dhe ne i paralajmëruam tre herë. Përgjegjësia e ngjarjeve të 24 nëntorit nuk bie mbi Turqinë. Jemi të hapur për bisedime në çdo nivel”, deklaroi Davutoglu.

“Asnjë shtet nuk kërkon falje për përgjegjësitë e përmbushura. Ushtria jonë e përmbushi përgjegjësinë e saj. Asnjë shtet, nuk duhet të presë që të kërkojmë falje për detyrën tonë”, tha kryeministri turk. Lidhur me avionin rus i cili e shkeli hapësirën ajrore turke, Davutoglu tha se “ne nuk do të përshkallëzojmë tensionet. Jemi të gatshëm për dialog”. Ndërkohë, Stoltenberg tha se ”mbështesim përpjekjet e Turqisë për të vendosur kontakte me Rusinë”. “Turqia ka të drejtë t’i mbrojë kufijtë dhe hapësirën ajrore. I mbështesim përpjekjet e Turqisë për të vendosur kontakte me Rusinë”, theksoi Stoltenberg.
Sigal