45% e bizneseve gjermane pesimist për ekonominë në Shqipëri; Rrezik krimi dhe transparenca e tenderave

110

Në anketën e realizuar prej dhomës gjermane të tregtisë, 45% prej tyre janë pesimist për të ardhmen ku faktor kryesor rendisin mungesën e transparencës në prokurimet publike, mungesën e fuqisë punëtore dhe kostot e shtuara. Këtë përfundim mbështeti edhe ambasadori gjerman Piter Zingraf, duke shtuar se Shqipëria ka ende shumë punë për procesin e antarësimit në BE.

Sigal

 Situata ekonomike aktuale në Shqipëri është më keq se vitin e shkuar, të paktën në optikën e bizneseve gjermane, që kanë aktivitet në vendin tonë. Kështu, 45 për qind e tyre e cilësojnë këtë situatë keq, ku ka një rritje me 3 pikë përqindje në raport me një vit më parë. Rezultatet e Vrojtimit të 14-të Ekonomik të DIHA-s të publikuara sot tregojnë se numri i atyre që mendojnë se situata aktuale është kënaqshëm, ka rënë me 3 për qind, ndërsa ata që mendojnë se kjo situatë është mirë përfaqësojnë 18 për qind, duke qëndruar në të njëjtën përqindje sikurse viti paraardhës.

Pavarësisht situatës aktuale duket se bizneset gjermane kanë pritshmëri më optimiste për të ardhmen, ku pritshmëritë që situata ekonomike të jetë keq janë në përgjigjet e 30 për qind të bizneseve. ndërkohë që ata që presin që situata të jetë e kënaqshme, përfaqësojnë 45 për qind dhe mirë, 25 për qind. Në raport me vitin paraardhës, këto pritshmëri janë më pozitive.

Sa i takon situatës ekonomike, sipas sektorit ku operojnë, rreth 32 për qind e kompanive janë përgjigjur se aktualisht situata vlerësohet si keq, me një rritje të ndjeshme në raport me vitin paraardhës kur kjo përgjigje përfaqësonte vetëm 18 për qind. Ndërkohë përqindja e atyre që shprehen kënaqshëm është 41 për qind, me një rënie të ndjeshme me 20 pikë përqindje në raport me anketën e vitit paraardhës.

Por teksa për situatën ekonomike në Shqipëri, pritshmëritë ishin pozitive, duket se në aspektin sektorial pritshmëritë janë pesimiste ku janë 27 për qind e bizneseve që kanë pritshmëri negative.

Në anketën e vitit paraardhës kjo përqindje ishte 15. Ata që presin që situata të jetë kënaqshëm janë 39 për qind, njëlloj si në anketën e vitit paraardhës teksa diferencën e kanë bërë ata që nga vlerësimi i mirë i vitit të shkuar kanë kaluar në keq. Në vitin 2022 pritshmëria për mirë në sektor ishte 46 për qind kurse këtë vit sipas anketës vetëm 34 për qind prej tyre kanë pritshmëri të mira.

Pritshmëria për vetë bizneset, nga ana tjetër, gjithashtu ka shënuar rritje të atyre që mendojnë se do të jetë më keq. Të paktën 20 për qind e tyre kanë këtë pritshmëri me një rritje me 2 pikë përqindje në raport me përgjigjet e anketës ë vitit 2022. Vetëm 41 për qind mendojnë që do të jetë kënaqshëm nga 46 për qind që ishte në vitin paraardhës.

Bizneset presin që edhe të ardhurat të pësojnë ulje ku të paktën 18 për qind mendojnë se do të kenë rënie. Në vitin 2022 bizneset që prisnin rënie të të ardhurave ishin 12 për qind. Nga ana tjetër ata që presin rritje të të ardhurave kanë pësuar rritje ku janë 50 për qind nga 46 për qind që ishin në anketën paraardhëse. Të pandryshuara të ardhurat i parashikojnë 32 për qind e bizneseve.

Sa u takon investimeve, 41 për qind e bizneseve presin që ato të rriten, 41 për qind presin që të jenë të pandryshuara dhe 18 për qind që të bien.

Bizneset kanë bërë edhe një vlerësim sesa të kënaqur janë me disa faktorë ku rezulton se kanë vlerësuar pozitivisht produktivitetin dhe motivimin e punonjësve, kualifikimin e punonjësve, koston e punës, negociatat për anëtarësimin në BE dhe arsimimin akademik.

Negativisht kanë vlerësuar transparencën e tenderave publikë, luftën kundër kriminalitetit, sigurinë ligjore, aksesi në fondet mbështetëse të BE, parashikueshmëria e politikave ekonomike, disponueshmëria e fuqisë punëtore të kualifikuar.

Bizneset vlerësojnë se në 12 muajt e ardhshëm rreziku më i madh që shohin është tek mungesa e forcave të punës dhe pas saj kostot e punës. Në radhë më pas vijnë çmimet e energjisë dhe lëndëve të para, kushtet ekonomike, kursi i këmbimit, siguria ligjore.