430 mijë njerëz kanë udhëtuar nga Kina në SHBA pasi ishte shfaqur koronavirusi

129

Zyrtarët kinezë zbuluan shpërthimin e një sëmundjeje misterioze pneumonialike në fund të vitit 2019, por të paktën 430 mijë njerëz kanë mbërritur në Shtetet e Bashkuara me fluturime të drejtpërdrejta nga Kina që kur u shfaq koronavirusi, përfshirë gati 40 mijë të tjerë në dy muajt pasi Presidenti Donald Trump vendosi kufizime, sipas një analize të të dhënave të mbledhura nga të dy vendet.

Lajmi bëhet i ditur nga “The New York Times”, në artikullin e së cilës thuhet ndër të tjera se: “Pjesa më e madhe e pasagjerëve, me kombësi të shumta, arritën në janar, në aeroportet në Los Angeles; San Francisko; Nju Jork; Chicago; Seattle; Newark, New Jersey; dhe Detroit. Mijëra prej tyre fluturuan drejtpërdrejt nga Wuhan, qendra e shpërthimit të koronavirusit, kohë kur zyrtarët amerikanë të shëndetit publik sapo kishin filluar të vlerësonin rreziqet për Shtetet e Bashkuara”.

Më tej theksohet se, fluturimet vazhduan deri në javën që kaloi, me pasagjerë që udhëtonin nga Pekini në Los Angeles, San Francisko dhe Nju Jork, nën rregulla që përjashtojnë amerikanët dhe disa të tjerë nga masat shtrënguese që hynë në fuqi më 2 shkurt. Në total, 279 fluturime nga Kina kanë mbërritur në Shtetet e Bashkuara që atëherë, dhe procedurat e shqyrtimit kanë qenë të pabarabarta, tregojnë burimet.

Presidenti Trump vazhdimisht ka deklaruar se masat e marra për udhëtimit pengonin përhapjen e virusit në Shtetet e Bashkuara.

“Unë mendoj se ishim shumë herët, por mendoj gjithashtu se ishim shumë të zgjuar, sepse e ndalëm Kinën,” tha ai në një konferencë të martën, duke shtuar, “Ky ishte ndoshta vendimi më i madh që kemi marrë deri tani.” Muajin e kaluar, ai tha, “Ne jemi ata që e mbanin Kinën këtu.”

Por analiza e fluturimeve dhe të dhënave të tjera nga New York Times tregojnë se masat e udhëtimit, sado të efektshme, mund të kenë ardhur tepër vonë për ta “mbajtur Kinën jashtë”, veçanërisht në dritën e deklaratave të fundit nga zyrtarët shëndetësorë që deri në 25% te personave të infektuar me koronavurus mund të mos shfaqin kurrë simptoma.

Shumë ekspertë të sëmundjeve infektive dyshojnë se virusi u përhap i pazbuluar për javë të tëra pasi u konfirmua çështja e parë amerikane, në shtetin e Uashingtonit, në 20 janar. Në fakt, askush nuk e di se kur virusi mbërriti për herë të parë në Shtetet e Bashkuara.

Gjatë gjysmës së parë të janarit, kur zyrtarët kinezë po nënvlerësonin ashpërsinë e shpërthimit, asnjë udhëtar nga Kina nuk u ekzaminua për ekspozim të mundshëm ndaj virusit.

Shqyrtimi shëndetësor filloi në mes të janarit, por vetëm për një numër udhëtarësh që kishin qenë në Wuhan dhe vetëm në aeroportet në Los Angeles, San Francisco dhe New York.

Deri në atë kohë, rreth 4,000 njerëz kishin hyrë tashmë në Shtetet e Bashkuara direkt nga Wuhan, sipas “VariFlight”, një kompani e të dhënave të aviacionit me qendër në Kinë.

Masat u zgjeruan për të gjithë pasagjerët nga Kina dy javë më vonë, thekson ndër të tjera New York Times.