11 ditë para zgjedhjeve, FBI kërkon hetim të ri mbi email-et e zonjës Clinton

422
Sigal

Skuadra e Hillary Clinton ka sfiduar FBI-në mbi vendimin për të kërkuar një hetim të ri mbi email-et e kandidates demokrate.

Drejtori i FBI, James Comey, informoi Kongresin për këtë lëvizje me anë të një letre të premten, vetëm 11 ditë para zgjedhjeve. Zonja Clinton e konsideroi këtë akt si të paprecedent dhe thellësisht shqetësues, ndërkohë që nga kampi republikan, Donald Trump ka përgëzuar zyrën e FBI për këtë vendim.

Në letrën e tij drejtuar Kongresit, Comey thotë se FBI ka mësuar për ekzistencën e email-eve të reja që mund të kenë lidhje me hetimin e mëparshëm, të hapur ndaj kandidates demokrate, për përdorimin e një serveri privat kur ajo shërbente si sekretare e shtetit në administratën Obama.

Comey e ka mbrojtur këtë vendim, duke këmbëngulur se mospublikimi i çështjes rrezikon të keqkuptohet, nisur nga fakti se FBI nuk e di rëndësinë e email-eve të gjetur rishtazi.

Zonja Clinton ka shprehur besimin e saj se hetimi nuk do të ndryshojë gjetjet e FBI-së në korrik, të cilat e kritikuan atë por nuk gjetën asnjë provë të ndonjë akti ilegal të demokrates. Shumë mbështetës të Clinton dhe zyrtarë të departamentit të drejtësisë e kanë kritikuar Comey-n për vendimin e tij për të publikuar këto informacione kaq pranë ditës së zgjedhjeve.

Donald Trump ndërkohë, ka deklaruar se çështja është skandali më i madh politik në Shtetet e Bashkuara që prej Watergate, që solli edhe shkarkimin e presidentit të atëhershëm, Richard Nixon. Në tubimin e tij në Colorado të shtunën, Trump i konsideroi veprimet kriminale të Clinton si të paramenduara dhe të qëllimshme.