10 persona të zhdukur pas zjarrit në tragetin Igumenicë-Brindisi, të shpëtuarit mbërrijnë në Korfuz

Një zjarr i përmasave të mëdhaja ka rënë në orët e para të mëngjesit të sotëm në një traget në Greqi i cili ishte nisur nga Igumenica dhe do shkonte në Brindisi. Sipas mediave greke 10 persona rezultojnë të zhdukur deri më tani pas zjarrit që ra në tragetin e pasagjerëve Euroferry Olympia teksa lundronte në afërsi të Korfuzit . Informacioni për të zhdukurit duket se vjen nga numërimi i parë i përafërt i kryer në varkat e shpëtimit, i cili numëronte 280 persona nga gjithsej 290 pasagjerë (239 pasagjerë dhe 51 ekuipazh) në bordin e Grupit Grimaldi. Një përfaqësues i grupit të shpëtimit tha:

“Është herët për të bërë një deklaratë. Ne përpiqemi të mbledhim informacionin dhe të krahasojmë sa janë deklaruar në listën e pasagjerëve me ata që u shpëtuan. Është shpëtuar edhe skafi italian, presim numërimin dhe identifikimin në portin e Korfuzit.”

Të mbijetuarit e anijes që u përfshi nga flakët ndodhen aktualisht në tre mjete lundruese (në bord janë mbi 200 persona) dhe kanë arritur në Korfuz. Aty, roja bregdetare ka evidentuar 4 pika numërimi ku do të bëhet identifikimi, në mënyrë që të ketë një pamje të qartë të të zhdukurve. Vlen të theksohet se pasagjerët që kanë folur në televizion kanë shprehur frikë se mund të mos kenë shpëtuar të gjithë pasagjerët, pasi sipas tyre disa shoferë po flinin në kamionët e tyre.

NOA