​Jahjaga dhe Anelay vizituan Qendrën për të Drejtat e Grave në Drenas

1873
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe ministrja e Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar dhe përfaqësuese speciale e kryeministrit për Parandalimin e Dhunës Seksuale në Konflikt, baronesha Joyce Anelay, vizituan sot Qendrën për Promovimin e të Drejtave të Grave në Drenas, pjesë e së cilës është edhe punëtoria e rrobaqepësisë ku u njoftuan nga afër me cilësinë e produkteve të cilat prodhohen në këtë qendër. Me këtë rast, sipas komunikatës nga zyra e Presidentes, Jahjaga ua ofroi mbështetjen drejtoreshës Kadire Tahiraj dhe anëtarëve të kësaj qendre, për fuqizimin e mëtejmë ekonomik dhe për plasimin e produkteve të tyre në treg. Ajo theksoi se që prej ditës së parë në mandatin e saj si Presidente e ka pasur si prioritet realizimin e barazisë gjinore, trajtimin e barabartë të të gjithë qytetarëve të Kosovës, sidomos inkurajimin e grave për të kërkuar të drejtat e tyre të garantuara me ligj dhe me kushtetutën e Kosovës. Presidentja Jahjaga tha se gratë, njësoj si burrat, kanë pasur rol shumë të rëndësishëm në të gjitha etapat nëpër të cilat ka kaluar Kosova, si gjatë kohës së rezistencës paqësore, luftës, po ashtu edhe në periudhën e pasluftës, rindërtimin e vendit, themelimin dhe fuqizimin e institucioneve të shtetit dhe zhvillimin e demokracisë, thuhet në komunikatë.
Sigal