Zyhdi Devishi/ Punonjës me tituj e grada shkencore pa arsim të mesëm

481
Në vitin 1968, sipas një udhëzimi të Këshillit të Ministrave të Republikës Popullore të Shqipërisë, u organizua një diskutim i gjerë për format e organizimit të punës kërkimore-shkencore, eksperimentale dhe për gradat e titujt shkencorë. Përcollën me shkrim në zyrën përkatëse të Këshillit të Ministrave rezultatet e diskutimeve, mendimet e propozimet e tyre Ministria e Industrisë, Ministria e Bujqësisë, Ministria e Tregtisë, Ministria e Transportit, Ministria e Arsimit, Ministria e Komunikacionit etj. Në këto diskutime vihet re një kuptim fare i thjeshtësuar për punën kërkimore-shkencore, për shkencën dhe shkencëtarët e vërtetë. 
Ideja
Në diskutime të tilla mbizotëron ideja se edhe njerëzit që dallohen për shkathtësi praktike në zgjidhjen e problemeve të thjeshta të organizimit e të prodhimit në fushën e bujqësisë, të industrisë etj., të trajtohen si punonjës shkencorë, të cilët meritojnë edhe grada e tituj shkencore sikurse pedagogët e shkollave të larta dhe punonjësit kërkimorë të instituteve shkencorë. Në shkresën përkatëse të Ministrisë së Bujqësisë për këtë çështje, pasi kritikohet praktika e dhënies së gradave dhe titujve shkencore vetëm për specialistët me arsim të lartë që punojnë si pedagogë në shkollat e larta dhe studiues në institucionet kërkimore-shkencore, theksohet: “Me eksperimentimin shkencor masiv që ka shpërthyer në kooperativat bujqësore dhe në ndërmarrjet e bujqësisë kanë dalë eksperimentatorë të talentuar, eksperimentet e të cilëve jo vetëm kanë vlerë eksperimentale, por e kanë çuar dhe e çojnë përpara prodhimin. Këto eksperimentatorë nuk janë vetëm specialistë të lartë, por edhe të mesme (me arsim të mesëm – Z. D.), mjeshtra, brigadierë dhe shumica e tyre janë punonjës të thjeshtë (me arsim fillor ose shtatëvjeçar – Z. D.). Prandaj dhënia e titujve shkencorë duhet të shtrihet edhe në sferën e punonjësve të prodhimit. Në radhë të parë njerëzve të prodhimit u duhet dhënë titulli Bashkëpunëtor Tekniko-Shkencor. Dhënia e këtij titulli të jetë në bazë të punës kërkimore që ai ka bërë, në bazë të referimeve që ai ka bërë për disa vjet në sesionet shkencore… eksperimentatorëve më të talentuar të prodhimit t’u jepen edhe titujt Bashkëpunëtor Shkencor i Ri, Bashkëpunëtor Shkencor i Vjetër e me radhë, pa bërë asnjë dallim nga dhënia e titujve të punonjësve të instituteve kërkimore ose të institucioneve të tjerë” (AQSH, F. 890, v. 1968, D. 572, f. 32). Sipas këtij dokumenti titulli “Bashkëpunëtor i vjetër shkencor” që u akordohej punonjësve të instituteve kërkimore-shkencore dhe ishte i barasvlershëm me titullin “Docent” që u akordohej pedagogëve të shkollave të larta, t’i akordohej edhe punonjësve me arsim fillor ose shtatëvjeçar, të cilët në sajë të intuitës e të shkathtësive praktike kishin zgjidhur probleme të thjeshta të prodhimit dhe sidomos të organizimit të prodhimit, që kishin të bënin me veçori të zonave të caktuara të vendit. Mendësi të tilla të zyrtarizuara në shumë dokumente të atyre viteve, në thelb, shprehnin nënvleftësim, shpërfillje të hierarkisë në fushën e shkencës, sepse njerëzit e shquar për veprimtari praktike, që nuk kishin lidhje me kërkimin shkencor të mirëfilltë trajtoheshin si shkencëtarë.

Revolucioni i Madh Proletar
Përgjatë viteve të të ashtuquajturit Revolucion i Madh Proletar Kulturor Kinez dhe sidomos pas ndërprerjes (1978) së marrëdhënieve me Republikën Popullore të Kinës në shoqërinë shqiptare artikulohej gjithnjë e më dendur termi “kinezëri”. Me këtë term karakterizoheshin me humor, me ironi e deri me sarkazëm modele sjelljeje, veprime e mendësi vulgare, të çuditshme, ekscentrike deri në absurd, që nuk kishin asgjë të përbashkët me traditat kulturore shqiptare dhe europiane. Në fushën e veprimtarisë kërkimore shkencore u shfaqen dukuri të kësaj natyre që tejkalonin çdo kinezëri, sidomos në vitet e ashpërsimit të luftës së klasave “kundër ideologjisë borgjeze e revizioniste”. Të tillë kanë qenë edhe vitet 1973-1981. Për të ilustruar këtë ide mjafton t’i referohemi një raporti “Mbi punën e kryer nga grupi i posaçëm për luftën kundër burokratizmit” në sistemin e Akademisë së Shkencave, të hartuar në gjysmën e parë të vitit 1975. Pasi flitet për pakësimin e numrit të punonjësve me 19.2 për qind (nga 715 në 578), për shtimin e numrit dhe të peshës specifike të punonjësve shkencorë që do të qarkullonin, në këtë raport theksohet domosdoshmëria e përçimit të frymës revolucionare të klasës punëtore ndër punonjësit e Akademisë së Shkencave edhe përmes përfshirjes së punëtorëve në strukturat drejtuese të saj të të gjithë niveleve: “Grupi i punës mendon që në forumet drejtuese të Akademisë (së Shkencave – Z. D.) të ketë edhe punëtorë të ardhur direkt nga prodhimi. Kështu mendohet që në përbërjen e Asamblesë, përveç anëtarëve dhe anëtareve korrespondente të Akademisë të bëjnë pjesë me të drejtë të plotë vote edhe një numër i caktuar punëtorësh të prodhimit. Disa prej tyre mendohet të zgjidhen si anëtarë të Presidiumit. Në seksione të zgjerohet pjesëmarrja e punëtorëve dhe, si këta, ashtu edhe anëtarët e tjerë të jashtëm të kenë të drejtë të plotë vote. Në aparatin e Akademisë duhet të ketë punëtorë. Kryesia dhe organizatat bazë të Partisë kanë propozuar që Drejtori i Drejtorisë Ekonomike, Kryetari i Degës së Kuadrit dhe ekonomisti për furnizim të zëvendësohen me punëtorë. Mendohet që në institutet shkencore të ketë punëtorë, sidomos në organizmat administrativë” (AQSH, F. 1008, v. 1975, D. 55, f. 47-48).
Grupet e posaçme
Grupet e posaçme që hartonin raporte të tillë përbëheshin nga punëtorë dhe anëtarë të Partisë së Punës që punonin drejtpërdrejt në prodhim, nga punonjës të aparateve të komiteteve të Partisë së Punës që mbulonin veprimtarinë kërkimore-shkencore, nga punonjës shkencorë etj. Këto kategori punonjësish dalloheshin për frymë vulgariteti dhe ekstremizëm të majtë në trajtimin edhe të çështjeve të shkencës. Veçanërisht në “klimën” e ashpërsimit të luftës së klasave rritej shumë fuqia imponuese, shkatërrimtare e grupeve të tilla mikste, të posaçme. Hartuesit e raportit në shqyrtim nuk arritën të përfshijnë në përbërjen e Asamblesë së Akademisë së Shkencave edhe punëtorë të prodhimit (të cilët do të kishin të drejtë të diskutonin e të votonin për çështje mjaft delikate e të ndërlikuara të shkencës, sikurse 20 akademikët më të shquar shqiptarë të atyre viteve, si Eqerem Çabej, Aleks Buda, Petrit Radovicka etj), pra përballë sfidave të rënda të kërkimit nuk arritën të imponojnë barazinë ndërmjet akademikëve të shquar dhe punëtorëve të prodhimit. Për situata të tilla mendimtari cinik Friedrich Nietzsche ka shkruar: “Rrjedhoja e tmerrshme e “barazisë” është se çdo njeri në fund beson se ka të drejtë të merret me çfarëdo lloj problemi. Atëherë ka humbur çdo lloj hierarkie” (2002:100). 
Sigal