Vullnet Skëndaj*/ Gjuha shqipe sa e mirë.., por e rrezikuar 

785
Sigal

Mjeti i vetëm i komunikimit është gjuha. Me anë të saj njerëzit në komunitet, marrin, japin dhe shkëmbejnë informacione të rëndësishme. Rol kryesor këtu luajnë media e shkruar dhe ajo elektronike. Nëpërmjet tyre, ne arrijmë, jo vetëm të pasurojmë njohuritë tona të përditshme me informacionet e duhura nga të gjitha fushat e jetës, të artit, të kulturës, por edhe të plotësojmë nevojat tona të përditshme. Futja e gjerë e masive e biznesit privat solli domosdoshmërisht zgjerimin e marrëdhënieve ekonomike me vendet fqinje dhe sidomos me ato të perëndimit. Futja e mallrave të prodhimit, mjeteve të konsumit, produkteve industrialë dhe ato ushqimore u shoqërua edhe me bum fjalësh, shprehjesh tekniko-shkencore nga gjuha e vendit prodhues të origjinës, por edhe me ato fjalë e shprehje që hasen dendur në përdorim ndërkombëtar. Dashje pa dashje, Shqipëria u shndërrua në një vend ku pllakosën pa doganë lumi i papërmbajtur i fjalëve, shprehjeve nga gjuhët më të rëndësishme të botës, por kryesisht nga anglishtja, greqishtja, frëngjishtja e më pak gjuhët e tjera, nga vende të largëta.

 Lindi grandmania e emërtimit të firmave, subjekteve e deri tek ato familjare me emra të huaj. Dilni po deshët në rrugët kryesore të Tiranës, të çdo qyteti tjetër e shkoni deri në rrugicat e ndonjë fshati më të humbur provincë a krahinë. Pothuajse 90 për qind e tyre mbajnë emra firmash amerikane, angleze, italiane, greke e deri tek India e Pakistani i largët.

Një histori më vete është puna e mediave të shkruara dhe ato vizive. Shikoni emrat e televizioneve shqiptare! Shumica, jo me gërma dhe emra shqip nga qendra…. e deri tek televizionet lokale. Shikoni edhe emisionet kryesore të këtyre televizioneve! Pothuajse të gjitha emërtohen në anglisht.

Në këto televizione, në këto programacione, të mbysin përdorimi pa vend e pa kriter i një lumi e llave të papërmbajtur fjalësh e shprehjesh të huaja, të cilat ia zbehin dhe ia errësojnë deri diku shkëlqimin dhe efektshmërinë, për të cilat edhe jepen ato. Shembulli më i keq i përdorimit pavend e pa kriter i fjalëve të huaja janë pikërisht këto mjete të informacionit masiv. Shumica e tyre dhe lukunia e gazetarëve dhe gazetarucëve që gëlojnë si mizat, filloi që nga agimi e deri në orët e vona të natës të të lodhin veshët me këtë fjalor e të batërdisin me shprehje “origjinale” në gjuhë të huaj.

Lexoni po deshët shtypin e përditshëm. Gjuha e gazetave, artikujt e gazetarëve janë përzier e bërë lëmsh nga përdorimi pa kriter i një batërdie fjalësh të huaja. Ndiqni po deshët komunikimin e liderëve politike, të ministrave, të deputetëve. Ndiqni po deshët seancat parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë. Njerëzit e nivelit të mesëm kulturor, por edhe me poshtë, u duhet të pajisen me fjalorë të gjuhëve të huaja për t’ua marrë vesh kuptimin e përmbajtjen e atyre për të cilat flasin. Mania e të dukurit të zgjuar, të mençëm e njohës të gjuhëve të huaja e ka pushtuar klasën e politikanëve tanë nga kreu e deri në fund. Nga gojët e tyre shpërthen një rrëke a lumë fjalësh që vetëm kur mbarojnë, kur heshtin merr vesh se kanë përfunduar ligjërimet e tyre. Po ndiqnim një ditë në një fshat në periferi të Tiranës, një ceremoni përurimi. Po fliste një deputet. Foli e foli ky i fundit njëzet e ca minuta. Kur mbaroi, një burrë i moshuar, afër meje më pyeti: – “Mor bir, shqiptar ishte ky që foli?!”

Vijmë kështu tek një problem tjetër, te purizmi a pastërtia e gjuhës shqipe. Ashtu si edhe e kam trajtuar apo prekur këtë problem, edhe në një artikull tjetër, nuk marr përsipër rolin e përgjegjësinë e një gjuhëtari të mirëfilltë, sepse nuk jam i tillë. Por kjo nuk më pengon aspak të jap gjykimin tim për një problem kaq të rëndësishëm ashtu thjesht si qytetar i vendit dhe folës i gjuhës shqipe. Po t’u referohemi hershëm qëndrimeve të shkrimtarëve tanë nga Rilindja Kombëtare do të shikojmë se ata kanë qenë shumë të ndjeshëm për çështjen e ruajtjes dhe pastërtisë së gjuhës shqipe. Përmendim këtu punën e madhe e të shkëlqyer që ka bërë Naim Frashëri. Është ndër poetët e mëdhenj që jo vetëm shkroi poezi e poema të mrekullueshme, por i kushtoi një rëndësi të madhe punës për pastrimin e gjuhës së bukur shqipe. Ai përdori fjalë e shprehje origjinale e shqipe, duke i kthyer nga gjuhët e huaja, kështu për fjalën “gjeografi” përdori dhe shkronjë, për fjalën “astronomi”, fjalën shqipe yllësi, për fjalën “shkollë”, fjalën mësonjëtore etj., etj.. Të njëjtën gjë kanë bërë edhe poetë e shkrimtarë të tjerë, si Asdreni, Lasgush Poradeci, Ismail Kadare, Dritëro Agolli etj..

Për pasurimin e shqipes me neologjizma dhe heqjen nga përdorimi i fjalëve të huaja sidomos nga turqishtja e greqishtja ka punuar edhe Fan S. Noli, Mjeda, Fishta e deri te gjuhëtarët e mëdhenj të gjuhës shqipe, Aleksandër Xhuvani e të tjerë. Duhet veçuar këtu një qëndrim i përbashkët i gjithë brezit të albanalogëve, të gjuhëtarëve të krijuesve të letërsisë, qëndrimi për të ecur me kujdes, me maturi në lëmin e fondin e artë leksikor të gjuhës shqipe. Qëndrimi ka qenë dhe është ruajtja e pastrimi i gjuhës shqipe nga fjalët e huaja, pastrimi nga barërat e këqija që ia prishin bukurinë dhe hijeshinë kësaj gjuhe. Fjalët e huaja që janë bërë pjesë e fondit themelor të gjuhës shqipe, janë pjesë përbërëse e mishit dhe gjakut të saj, nuk ka pse të hiqen. Ato tashmë janë pjesë përbërëse e kësaj gjuhe prej shekujsh. Gjuha shqipe nuk është han me 100 porta. Ajo është pasuria e visari më i madh që na i kanë lënë trashëgim të parët tanë. Ajo duhet ruajtur e pasuruar në fjalë e shprehje të reja në shqipe si pjesa kryesore, si një nga shtyllat e kombit tonë.

Kurse ne sot dalim me teorinë jo purizëm i gjuhës shqipe. Çfarë po bëjmë? Tashmë edhe armiqtë tanë të betuar, shovinistët grekë, serbë, maqedonas, e më tej, nuk duan gjë më shumë. Ata duan me çdo kusht e me çdo mjet të na zhdukin si komb, të na asimilojnë. Atë që nuk e arritën dot për 600 e më shumë vjet me luftëra, me copëtime, me përçarje, me zhdukje e lënie në errësirë, po përpiqen ta arrijnë tani për 20 e ca vjet të demokracisë. Ata nuk po lenë gurë e fije pa përdorur e pa lëvizur vetëm e vetëm që ne të zhdukemi nga harta si komb, si vend, si etni. Pra, nëse do t’i përgjigjeshim pyetjes purizëm apo llumizëm, unë do të përqafoja të parën. Luftë e paepur pa asnjë hezitim për ta pastruar, për ta pasuruar e për ta bërë gjuhën shqipe një gjuhë të një kombi dinjitoz të paasimilueshëm. Për këtë, duhet të punojmë të gjithë. Ajo fillon që aty në familjet tona, kur fëmijëve kudo që jemi, kudo që jetojmë e punojmë duhet t’u lëmë trashëgim gjuhën e bukur e të mrekullueshme shqipe. Kjo kërkon edhe një shtet të përgjegjshëm e të ndërgjegjshëm, të vetëdijshëm për të ruajtur, jo vetëm tërësinë territoriale të vendit tonë. Asnjë pëllëmbë toke e vendit tonë nuk është e huaj. Ajo është larë me gjakun e qindra e mijërave heronjve e dëshmorëve që ranë për ta mbrojtur atdheun nga lakmitë e të huajve. Fqinjët tanë janë ata që na kanë marrë e gllabëruar pjesë nga dheu ynë. Të luftosh për të ruajtur, por edhe për të kërkuar atë që na takon, nuk është shovinizëm, nuk është nacionalizëm. Ajo është një e drejtë ndërkombëtare. Përse kur u kërkua bashkimi i Gjermanëve, i Koreve, i Vietnamit apo vendeve të tjera të ndara, këto vende këto kombe nuk u quajtën shovinistë?

Shteti është ai që i thotë ndaj, jo vetëm copëtimit të atdheut por edhe ruajtjes e pastërtisë së gjuhës shqipe. Për këtë duhet të ketë edhe ligje të ketë edhe sanksione. Shteti duhet t’i thotë “ndal” përdorimit pa kriter të emërtimeve në gjuhë të huaj të institucioneve, të mediave, të emërtimeve të bizneseve e deri në përdorimin pa doganë të fjalëve të huaja në jetën politike, në komunikimin e njerëzve, në përdorimin e gjuhës në institucionet shtetërore, në gjuhën e folur, të shkruar e kudo.

Nuk është turp të ruash gjuhën tënde. Të pastrosh gjuhën amtare nga fjalët e huaja nuk është injorancë. E kundërta do të ishte një majmunizëm me pasoja katastrofike për të ardhmen e saj.

Barrikadë për batërdinë e përdorimin pa kriter e pa vend të fjalëve të huaja duhet të bëhen në radhë të parë edhe mjetet e informacionit masiv. “Zotësitë” dhe “aftësitë” e gazetarëve dhe të qenurit “me kulturë” nuk përcaktohet nga përdorimi si papagall i fjalëve të huaja, por nga përdorimi i gjuhës së bukur të pastër e të mrekullueshme shqipe. Të gjitha interpretimet e motivimet apo argumentet e tjera, nuk kanë vend. Këta njerëz të vetëquajtur ajka e intelektualëve, i gënjen mendja, vuajnë nga dobësia për vetveten. Ata, me gjuhën e fjalorin e përdorur duan me dëshirë të mbyllen në kullën e fildishtë. Ata duan të shkëputen nga populli dhe vendi që i rriti. Kjo nuk është sfidë. Barrikadë për ruajtjen e gjuhës duhet të bëhen edhe institucionet e mirëfillta shkencore, Akademia e Shkencave, Instituti i Gjuhësisë, Universitet Shtetërore e ato private, të cilat jo vetëm duhet të luftojnë e të përpiqen për ta pasuruar gjuhën shqipe, por edhe për të mos lejuar llumizmin e saj në emër të kulturës të diturisë e të ndërkombëtarizimit apo universalizimit të gjuhës.

Ç’është kjo batërdi që po bëjmë? Ku po shkojmë kështu?

Argumentimet dhe interpretimet janë të ndryshme, të shumëllojshme. Ato në dukje marrin edhe formë shkencore. Mund të na ndodhë si përralla me rrobaqepësit gënjeshtarë. Ato deklaronin se vetëm budallenjtë, njerëzit dritëshkurtër nuk i shikonin rrobat e tyre të mrekullueshme. Dhe atje, nga frika për të mos u dukur budalla e injorant, mbreti doli lakuriq përpara popullit. Këtu tek ne nga frika se do të quhemi injorantë e pa kulturë nëse nuk pranojmë lluminizmin e batërdinë e fjalëve të huaja, do të vijë një ditë që do të ligjërohet në çdo gjuhë të botës përveç gjuhës shqipe.

Duke e mbyllur, do të thoshnim se nuk jemi kundër edhe futjes së përdorimit të fjalëve të huaja në gjuhën shqipe, veçse “Gjella me kripë, e kripa me karar”, – thotë populli.

 

*Mësues