Vullnet Skëndaj/ Fol shqip

591
Sigal

*mësues

 Shtyllat kryesore që e dallojnë dhe i ruajnë identitetin një kombi padyshim janë gjuha, flamuri, atdheu dhe traditat e kultura e tij. Historikisht jemi një nga kombet më të vjetër, jo vetëm në Ballkan, në Europë, por edhe në botë. Vitalitetin e të qënurit shqiptarë e kemi treguar në thellësinë e kohërave, atëherë kur kombe të tjerë endeshin rrugëve të Europës, të Ballkanit për të gjetur një copë vend ku të strehoheshin e të fusnin kokën.

Por kombi shqiptar mbijetoi sepse ruajti si visar të paçmuar pikërisht ato vlera që e bëjnë edhe sot e kësaj dite një nga kombet më të vjetra, mjaft të njohur në botë.

Gjuha e bukur shqipe është një ndër këto visare që vazhdon të ruhet e të trashëgohet ndër brezni me fanatizëm e me adhurim të veçantë nga cilado familje shqiptare, në çdo vend ku jeton. Për të kanë shkruar e kanë folur me krenari, poetët tanë të mëdhenj kombëtare. Asaj i kërkoi Naimi me vargjet:

“Gjuha jonë, sa e mirë,

Sa e ëmbël, sa e dlirë.”

I kënduan edhe poetët tanë të Veriut: Mjeda, Shiroka, Gjergj Fishta. Citojmë këtu disa vargje të Mjedës nga poezia: “Gjuha Shqype”:

“Përmbi za që lëshon bylbyli,

Gjuha shqipe m’shungullon,

Përmbi erë që jep zymbyli,

Pa da zemrën ma ngushëllon.”

E kështu  mund të renditim me qindra e mijëra vargje kushtuar gjuhës së bukur shqipe, por ato kurrë nuk do të mjaftonin për të shprehur e për të dhenë bukurinë, ëmbëlsinë, dëlirësinë e ngrohtësinë e kësaj gjuhe të bekuar nga Zoti.

Shqiptarët e ngujuar qysh nga shek. XV, vazhdojnë të ruajnë e t’u trashëgojnë brezave me fanatizëm gjuhën e lashtë shqipe, doket, zakonet, veshjet dhe traditat që aq bukur i përcjellin edhe sot e kësaj dite nëpërmjet krijuesve të letërsisë arbëreshe, nëpërmjet këngëve dhe valleve. Dhimbja, dashuria dhe dëshira për dheun e të parëve atyre nuk do t’u shuhet kurrë. Le të citojmë disa vargje nga një poezi e Zef Serembes, e titulluar: “Rrutullup”:

“Arbri, që prapa detit na kujton,

Se ne të huaj jemi mbi këtë dhe,

Sa vjet shkuan e zemra s’harron,

Se turku na la pa mëmdhe.”

Është kjo dhimbje dhe dashuri e patreguar që i ka bërë ata të trashëgojnë edhe pas 6 shekujsh gjuhën e vyer shqipe. Por jo vetëm këtu po kudo, ku ka pasur ngujime e koloni shqiptarësh të hershëm në mërgim, vazhdojnë të ruhen ende të paprekura gjuha dhe traditat shqiptare.

Pse i përmendim të gjitha këto?

Duke iu kërkuar të falur lexuesve të këtij shkrimi deshëm të bëjmë një retrospektivë për të dalë në një problem që sapo vjen e po rëndohet në shumë me kalimin e këtyre 20 e ca viteve të fundit të demokracisë. Ç’ka ndodhur dhe çfarë po ndodh në fakt me gjuhën shqipe?

Është fakt se gjatë kësaj periudhe post komuniste shqiptarët, me hapjen e kufijve, u dyndën për nevoja ekonomike, vendeve të Europës Perëndimore, kryesisht në vendet fqinje si: Greqi Itali, por edhe më tutje, në Gjermani, Francë, Angli, Vendet Skandinave, Amerikë, Kanada e deri në Australi. Bashkë me ta shkuan edhe familjet e tyre gratë e fëmijët. Këto familje që tashmë përbëjnë afërsisht 1/3 e gjithë popullsisë në Shqipëri, nuk shkuan për turizëm, për qejf, ato shkuan për të siguruar bukën e gojës dhe për një jetë më të mirë. Shqiptarëve emigrantë u duhet të punojnë në kushte tejet të rënda, me dhe pa orar, deri edhe 12-13 orë në ditë për të mbajtur e ushqyer fëmijët e familjet e tyre. Shumicën e kohës atyre iu duhet të jenë larg familjes. Ata vijnë aty vetëm për t’u ushqyer e për të fjetur gjumë. Po me fëmijët e tyre çfarë ndodhi? Ata që janë larguar nga Shqipëria në moshë madhore dhe që e kanë mësuar shqipen, deri diku e ruajnë atë. E keqja më e madhe ndodh me fëmijët e lindur në këto vende të huaja. Shumë prindër, me pretekstin se nuk kanë kohë të merren me fëmijët e tyre, më shumë për faj të nënave, nuk ua mësojnë fare shqipen. Kjo ndodh edhe për shkak të indiferentizmit, mos kujdesjes, por edhe ama për t’u shkrirë e për t’u dukur sa më autoktonë. Një arsye tjetër tepër e rëndësishme është mungesa e shkollave shqipe në këto vende ku punojnë e jetojnë shqiptarët.

Mund të japin një përgjigje autoritetet shqiptare, Ministria e Arsimit se sa shkolla shqipe janë hapur e funksionojnë në këto vende? Cilat janë politikat e qeverisë shqiptare për të ndihmuar në hapjen e çeljen e shkollave shqipe në këto vende?

Me qindra e mijëra fëmijë shqiptarësh emigrantë nuk vazhdojnë shkolla shqipe. Ata mësojnë në shkolla greke, italiane, e më tej. Mësojnë gjuhën e vendit ku jetojnë familjet e tyre. Marrin kulturën, zakonet e këtyre kombeve. Po gjuhën shqipe kur duhet ta mësojnë? Kush duhet të shqetësohet për këtë fatkeqësi të tmerrshme? Ministria e Jashtme, Ministria e Arsimit, apo dikush tjetër në piramidën shtetërore? Si mund të pretendosh se je shqiptar kur nuk di as të flasësh dhe as të shkruash shqip? A ka përgjegjësi shteti shqiptar për 1/3 e popullsisë se vetë jashtë atdheut? Ku shkojmë kështu? Më ka ndodhur para disa vitesh një ngjarje të cilën do të përpiqem ta jap të shkurtuar në këtë shkrim, për ilustrim.

Isha me familjen me pushime verore në një plazh të vogël, në Radhimë të Vlorës. Pranë meje ishte një familje me burrin italian. Aty pranë ishte edhe një grua shqiptare e divorcuar, me banim në Itali, bashkë me një vajzë të vogël 5-vjeç. Vajzën e quanin Anxhela. Gruaja, një e dy e thërriste Anxhelin duke i folur italisht. Në një moment vajza u ndodh pranë italianit. Ai e pyeti për emrin dhe se çfarë ishte, italiane apo shqiptare. Vajza italisht i thotë se ishte shqiptare. – Më thuaj, –  i thotë italiani, – disa fjalë shqip. – Nuk di! – i thotë vajza. Emrin e ke italian. Për të folur flet italisht. Shqip nuk di. Çfarë shqiptare je ti? – Edhe majmunët flasin gjuhën e tyre, – i thotë italiani, jo pa ironi. Më ka mbetur në mendje ironia e italianit. Doja t’i përgjigjesha, por çfarë t’i thoshja? Shembuj të tillë ndesh me qindra në rrugët e mjediset publike, këtu edhe kudo në vende të tjera urbane. Shumë nëna e baballarë, për të shitur mend e për të treguar se vijnë nga perëndimi u flasin fëmijëve tërë p……. në gjuhë të huaj. Mirë, more të uruar nuk u del shkolla e shoqëria, fëmijëria tuaj për të folur gjuhën e vendit ku jetoni? Po gjuhën shqipe kur duhet tua mësoni fëmijëve? Apo prisni tua mësojnë institucionet shqiptare në shtetin amë? A e kuptoni çfarë krimi po u bëni këtyre fëmijëve?

Atë që pushtuesit e huaj, kisha greke, nuk e bënë për 500-600 vjet, po e zhbëni ju për 25 vjet. Ku shkojmë kështu?  Të mësosh një gjuhë të huaj apo disa është kulturë. Të ruash gjuhën e nënës është detyrim për të ardhmen e fëmijëve dhe të kombit tonë. Pa dyshim se një shkak i këtij asimilimi e zhbërje kombëtare në këto vende të huaja është edhe qëndrimi i shtetit shqiptar, i qeverive shqiptare që kanë ardhur e ikur. Keni vënë re se sa të ndjeshëm kanë qenë shtetet fqinje me minoritetet e tyre? Maqedonia ndjek me përparësi çeljen e vijimësinë  e shkollave në gjuhën e saj me minoritetin në zonën e Prespës, Ohrit etj. Serbia, para disa vitesh, çoi ministrinë e vet në Libofshë të Fierit. Qeveria greke nuk ka lënë shkollë pa ngritur jo vetëm në Gjirokastër, Sarandë, Himarë, Korçë pork a çelur edhe kolegje edhe në Tiranë. Po qeveria jonë çfarë programi ndjek? Po ministria Nikolla, ku i ka planet dhe çfarë ka realizuar për çeljen, financimin dhe pajisjen e shkollave shqipe në këto vende? Çfarë ndihme ka dhenë e jep shteti shqiptar, ambasadat e konsullatat tona në këto vende për të ndihmuar financiarisht mbarëvajtjen e këtyre shkollave. A duhet të kishte një ligj të miratuar në Parlamentin Shqiptar për funksionimin e shkollave shqipe në vendet e huaja?

Emrat e sotëm të fëmijëve janë kthyer në Xhon, Henri, Tom, Ledio, Meri, Keti e lloj-lloj emrash të tjerë, të huazuar nga artistë, këngëtarë, top-model etj.. Po mirë, po emra të bukur shqiptarë nuk ka? Fëmijëve u venë emra të huaj. Për të mësuar u mësojnë gjuhën e huaj, shqip jo. Sapo vjen e në të folurën e terminologjinë e përditshme, gjuhën e politikanëve, në emisionet radio-televizive, në gjuhën e shkrimeve të mediave e gazetarëve derdhet një lumë i paparë i fjalëve dhe shprehjeve të huaja. Po dalin edhe gjuhëtarë e studiues e po botojnë libra të titulluar: “Jo purizmit në gjuhë shqipe!”

Ç’po ndodh me ne? Ne po heqim dorë nga shtylla numër një e kombit, nga gjuha shqipe. Intelektualët shqiptarë, gjuhëtarët, akademikët, shkrimtarët, politikanët, gazetarët, para se të merren me fasada dukjeje, me deklarata paçavure le të shikojnë e t’i kthejnë sytë e vëmendjen nga gjëra më të rëndësishme, me çështje madhore siç është ky problemi i shqetësimi që po ngremë.

Sot, më tepër se kurrë, kur orekset asimiluese e copëtuese shoviniste janë në kulmin e tyre, duhet t’i kthejmë sytë e të bëhemi shqiptarë të vërtetë. Të ruajmë si visarin më të madh që na kanë lënë të parët, gjuhën e bukur e të mrekullueshme shqipe. Doja t’i mbyllja këto radhë me amanetin e një atdhetari të shquar, martir i gjuhës shqipe, Papa Kristo Negovanit. Para se ta vrisnin ai tha: “Mua më vrisni, po gjakun ruheni. Ai do t’u duhet për të shkruar gjuhën e bukur shqipe…”.