Vështirësohet situata në universitete nga mungesa e ambienteve, Dekanët: Mësimi më dy turne, me probleme

518
Sigal

FORUM/Flasin dekanët e universiteteve publike për “Telegraf” dhe studentët për mungesën e ambienteve

Edhe pse kanë kaluar disa muaj nga fillimi i vitit të ri akademik 2012-2013, mungesa e ambienteve nëpër universitetet publike mbetet një problem i pazgjidhur. Ky problem del më në pah në ditët e ftohta të dimrit, pasi bëhet më i vështirë zhvillimi i mësimit me dy turne që zgjat deri në orët e vona të darkës. Si për pedagogët ashtu edhe për studentët zhvillimi i mësimit me dy turne është një problem mjaft i vështirë pasi në periudhën e dimrit vështirësohet edhe situata për shkak edhe të kushteve të motit. Në një pjesë të madhe të ambienteve mungon edhe sistemi i ngrohjes, ose mund të jetë i pranishëm, por nuk vihet në punë. Edhe pse është folur shumë për përmirësime të sistemit arsimor, situata ka ngelur po e njëjtë. Pra edhe për këtë vit ashtu si edhe me parë një pjesë e madhe e studentëve janë të detyruar që të ndjekim mësimin me turne për shkak të mungesës së ambienteve. Mungesa  më e madhe e ambienteve është më e dukshme në Universitetin e Tiranës që ka dhe numrin më të lartë të studentëve, por nuk përjashtohen edhe universitete të tjera në qytete të ndryshme. Një tjetër problem i madh për universitetet mbetet edhe numri i pakët i pedagogëve, të cilët japin mësim. Numri i pedagogëve është më i vogël në krahasim me numrin e  studentëve, një gjë të tillë e pranojnë edhe dekanët e fakulteteve. Por edhe ky mbetet një problem më vete që mbetet për të marrë një zgjidhje. Por duke u kthyer sërish tek mungesa e ambienteve për zhvillimin e mësimit janë prononcuar për “Telegraf” disa nga dekanët e Fakulteteve të Tiranës. Ata të tërë një zëri e kanë pohuar problemin që ekziston dhe janë shprehur se, kanë bërë kërkesë për zgjidhjen e kësaj çështje. Por ajo që duket është se edhe tani pasi kanë kaluar disa muaj nga fillimi i vitit të ri akademik nuk është marrë ndonjë masë konkrete për zgjerimin e ambienteve në ndonjë nga fakultetet që kanë një problem të tillë. Në lidhje me këtë problematike janë shprehur: Dekani i Shkencave të Natyrës Prof. Dr. Mynyr Koni, Dekani i Gjeologji-Minierave Prof. Dr. Përparim Hoxha, Dekani i Fakultetit të Ekonomisë Prof. Dr. Sulo Haderi, Dekani i Fakultetit të Drejtësisë Ph. D. Dr. Altin Shegani

Studentët: Është i vështirë mësimi me turne

Studentët e universiteteve publike e shohin si një problem serioz zhvillimin e mësimit me dy turne, sidomos në periudhën e dimrit. Studentët e Universitetit të Tiranës, të pyetur nga “Telegraf” janë shprehur se: “Është shumë e vështirë që të bësh mësim deri në orën 8:00 të darkës, pasi tani është edhe dimër dhe bën dhe ftohtë. Në Fakultetin e Histori-Filologjisë e njëjta situatë ka qenë edhe vitin e kaluar. Por na është thënë që do rregullohet situata, por nuk po shohim asnjë ndryshim”. Sipas studentëve edhe ky vit akademik duket se do të kalojë në të njëjtat kushte, duke bërë mësim me dy turne dhe duke bërë mësim në temperatura të ulëta.

Dekani i Shkencave të Natyrës Prof. Mynyr Koni

Vështirësia e parë është mjedisi, dhe ne këtë vit na është shtuar edhe një vit, pasi deri më tani kemi pasur dy vite tek Teknologjia e informacionit, këtë vit ajo është bërë cikël i plotë. Ne kemi rreth 500 studentë më shumë po ta marrim përafërsisht , kjo do të thotë që kërkon shtesën e katër grupeve, në vitin e parë, 4 në vitin e dytë dhe po ashtu 4 grupe të tjera në vitin e tretë. Kështu që mjedisi është një nga vështirësitë tona të mëdha. Ne kemi negociuar me Rektoratin e Tiranës, jemi duke përgatitur edhe një material për t’ia paraqitur MASH-it dhe Këshillit të Ministrave, për t’i dhënë një zgjidhje. Së dyti, është çështja e stafit akademik. Unë kam shtuar 3 pedagogë tek informatika, dhe numri i tyre nga 15 ka shkuar në 18 dhe do kalojmë edhe dy pedagogë dhe do bëhet 20 numri i tyre.

 Dekani i Gjeologji-Minierave Prof. Përparim Hoxha

Me normat që ka sot arsimi universitar në fushat inxhinierike mesatarisht një pedagogu i bie të punojë me 12- 15 studentë, ndërsa ne këtë numër e kalojmë. Aktualisht raporti pedagogë-studentë 1- 25 studentë. Kjo pasi numri në total i studentëve është 1570. Kjo gjë në kushte inxhinierike është shumë e vështirë dhe kërkohet një staf i dyfishuar.  Ndaj dhe punimet laboratorike ne i bëjmë në grupe të mëdha dhe jo me 5 apo 10 studentë. Them se ka ardhur koha që në arsimin e lartë publik të bëhen investime më të mëdha për të përballuar të gjitha këto probleme që unë përmenda pak më lartë. Ne kemi kërkuar dhe hartuar strategji të fakultetit për marrjen e projekteve të ndryshme. Natyrisht ne kemi marrë në konsideratë se kush janë aspektet kryesore të tregut të punës. Ne kemi gjykuar se në përmbushjen e këtyre objektivave na duhen dhe ca pajisje dhe laboratorë të rinj. Por nga ana tjetër duhet të pranojmë se ne i njohim sado pak mundësitë konkretë që ka ekonomia e shtetit. Projektet që ne i kemi marrë duke konkurruar me mjaft instanca, qoftë me Bankën Botërore, qoftë me projekte “Tempus”.

 Dekani Fakultetit të Ekonomisë, Prof. Sulo Haderi

Fakulteti i Ekonomisë për shkak të numrit të madh të studentëve e ka të nevojshëm shtimin e ambienteve. Në kemi afërsisht dhjetë mijë studentë dhe për këtë ne kemi bërë dhe disa rregullime ambientesh aq sa na lejojnë ambientet. Pra disa ambiente që më parë nuk kanë qenë në shërbim të studentëve ne me anë të disa rregullimeve i kemi kthyer në ambiente funksionalë për studentët. Por mund të them që edhe pse kemi bërë disa ndryshime ne përsëri vazhdojmë që të zhvillojmë mësimin me dy turne për arsyet e mësipërme që ju thashë, pasi nuk na mjaftojnë ambientet. Kjo bëhet edhe më e vështirë tani në periudhën e dimrit, pasi është më ftohtë dhe dita është më e shkurtër.

 Dekani i Fakultetit të Drejtësisë Ph. D. Dr. Altin Shegani

Ne si Fakultet i Drejtësisë, normalisht që po e zhvillojmë mësimin me dy turne. Aktualisht, kjo vjen për shkak të mungesës së ambienteve. Por nga pikëpamja e infrastrukturës në kemi një plan që gati po vihet në punë. Ne e kemi një nga pikat tona të së ardhmes që shumë shpejt të kemi pjesë të hapësirave tona universitare edhe dy katet e tjera të godinës ku aktualisht Fakulteti i Shkencave Sociale. Meqenëse qeveria i ka akorduar një godinë Universitetit të Tiranës, që është godina e ish- Rrobaqepësisë Ushtarake, tashmë për këtë kjo godinë në dijeninë time është bërë tenderi dhe kanë filluar punimet, mesa di unë. Më rregullimin e kësaj godine Fakulteti i Shkencave Sociale kalon diku tjetër në vendin që është përcaktuar dhe Fakultetit të Drejtësisë do i shtohen ambientet e tij me dy kate të tjera.