Universitetet private kundër disa pikave të draftit. Studentët protestë, shoqërohen nga policia

551
Kthimi i Universiteteve në Universitete publike të pavarura sipas ligjit të arsimit të lartë, i kundërshtuar fuqimisht nga Universitetet shtetërore, shihet se e ardhjma dhe një nga vendimet më të mira për Universitetet private.
Mariglen Spiro, rektor i një Universiteti privat: “Efektivisht kjo lloj shpërndarje apo kjo skemë e përgjithshme e shpërndarjes së fondeve publike për zhvillimin e arsimit të lartë, për aspektin akademik të saj e konsiderojmë se është shumë pozitive”.
Akademikët e Universiteteve publike kanë akuzuar qeverinë se e ka bërë draftin sipas interesave dhe ndërhyrjeve të privatëve, por në Komisionin e Edukimit kjo pyetje erdhi nga deputeti i PD-së Astrit Veliaj, drejtues i një Universiteti privat.
Astrit Veliaj: “ A keni ndërhyrë ju në ligjin e arsimit të lartë si privat për të favorizuar Uiversitetet private apo jo? Se personalisht tek unë latë këtë përshtypje”.
Tonin Gjura, Rektor i një Universiteti privat: “Zoti. Veliaj së pari ironia është shumë e lexueshme dhe është dhe jo shumë etike guxoj të them dhe është shumë larg nivelit të akademikëve intelektualë dhe kolegëve të mi”.
Por me draftin nuk janë të gjithë të kënaqur, privatët kanë vërejtjet e tyre.
Ferdinand Gjana, Rektor i një Universiteti privat: “Mendoj se shumë investitorë, sipërmarrës privatë do mendohen shumë gjatë për ta kthyer në një status të tillë. Paçka se do të kenë përfitime nga buxheti i shtetit nëse do të plotësojnë kushtet,ata do të heqin dorë nga gjithçka. Nga pronësia, nga ai institucion dhe ajo sipërmarrje pas atij momenti do të jetë më tepër një pronë publike”.
Vera Ostreni, Rektore e një Universiteti privat: “Kemi një shtim të burokracisë së këtyre organizmave të cilat në një farë mënyrë e mbysin qoftë njëra-tjetrën, por qoftë dhe lirinë akademike. Nuk parashikohet mësimi në distancë, në internet si dhe është hequr nga ligji studimi part-time”.
Përpara se të niste diskutimi për ligjin e arsimit të lartë, studentë të Universitetit publik kanë protestuar për të kërkuar që ky draft të mos votohet në këtë format.
Pas protestët së tyre, studentët kanë publikuar në rrjetet sociale këto foto, ku disa prej tyre janë shoqëruar në komisariat.
Sigal