Testimi i mësuesve, nis procedura e punësimit të fituesve në kryeqytet

TIRANË – Rreth 1 muaj pas testimi të aplikantëve për vendet vakante në mësuesi, për 14 prej fituesve sot nis shpërndarja e tyre në shkollat e qarkut të kryeqytetit.
 
Lajmi i cili konfirmohet nga Drejtoria Arsimore e Qarkut Tiranë, bën fjalë për 14 aplikantë të cilët kanë mbaruar më Gjuhën Angleze dhe që janë të vetmit që kanë kaluar me sukses testimin e 6 dhjetorit 2013, për këtë lëndë në kryeqytet.

Këta 14 aplikantë mesa duket do të kenë të gjithë mundësi zgjedhjeje për shkollat se ku do të fillojnë të japin mësim, duke parë se Drejtoria Arsimore e Qarkut Tiranë ka bërë publike se janë 17 vende vakante në të gjithë qarkun për mësues të Gjuhës Angleze.

Mësuesit të cilët kanë rezultuar më të mirët në provimin e realizuar një muaj më parë nga Ministria e Arsimit, do të kenë shansin të zgjedhin vetë vendin e punës në të cilin do të punojnë. Ky është kushti tashmë i përcaktuar nga Ministria e Arsimit, ndërsa theksohet se brenda muajit janar do të bëhet edhe punësimi i të gjithë atyre mësuesve të cilët kanë rezultuar fitues. 

NOA