Starton viti akademik 2016- 2017, regjistrimet vazhdojnë

543
Sigal

Vazhdon ankthi i
maturantëve për të ndjekur studimet në universitetet publike

Starton viti
akademik 2016- 2017, regjistrimet vazhdojnë


Dezdemona Porja

Ministrja e
Arsimit Lindita Nikolla deklaroi të enjten, se 19 165 studentë janë regjistruar
në vitet e para për të vijuar programet e studimit në arsimin tonë të lartë,
nga të 15 022 janë të regjistruar në institucionet publike. Në fjalën e saj, në
seancën plenare të Kuvendit, ministrja Nikolla theksoi se “procesi i
regjistrimit po vijon edhe në momentin që flasim në sekretaritë e fakulteteve .
Procesi po vijon me nën raundet, ku kanë mbetur kuotat bosh me detyrimin që
deri në fund t’i shkojmë këtij procesi në kushtet e meritës dhe të
transparencës edhe për të realizuar të gjitha kuotat e universiteteve që janë
shpallur dhe janë bërë publike”. Ministrja Nikolla u shpreh se “kam ndjekur me
shqetësim të veçantë të gjitha problematikat që janë adresuar në implementimin
e sistemit të ri të pranimeve në universitet. Një sistem i ri që kushtëzohej
nga zbatimi i ligjit të ri për arsimin e lartë, por me bindjen e plotë, që
është një sistem i ri që i jep përgjigje problematikave të vërejtura në
sistemin e vjetër të meritës dhe preferencës dhe sigurisht do të shënjojë një
cilësi të re në të gjitha institucionet tona të arsimit të lartë”. Po ashtu,
vijoi ministrja, kam ndjekur edhe shumë prej momenteve dyshuese që kanë
shoqëruar këtë sistem jo gjithmonë të lidhura me paqartësinë që një sistem i ri
dhe një skemë e re kur implementohet shoqërohet, por shpesh herë edhe me
kakofoninë që shoqëroi këtë proces duke u ngritur mbi argumente që
paragjykonin. Ministrja Nikolla sqaroi se në ditët në vijim në përfundim të procesit
do të kemi raportimin se si dhe çfarë janë treguesit e përmirësuar. “Formula
ishte e duhura. Në ditët në vijim do të jenë universitetet që do flasin. Ky
sistem nuk është perfekt, por është i përmirësuar dhe pranë meritës”, tha
Nikolla.

 

Hapen
universitetet, kuotat e paplotësuara; rektorët: Ejani regjistrohuni

Plot 20 mijë
studentë të rinj janë ulur për herë të parë në auditorët e universiteteve
publike, të përzgjedhur me skemën e re të pranimit, ndërsa kanë mbetur edhe
4.000 kuota të paplotësuara, duke pritur spostimin e vizës së kuqe sipas fazave
dyditore. Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla renditi arsyet e ndryshimit të
skemës së mëparshme, ku 20% zinte nota e tre viteve të shkollës së mesme dhe
70% ajo e maturës shtetërore. Duke bërë një paralelizëm me të shkuarën, skema e
re për ministren e Arsimit është transparente pasi nuk çon më ministria lista
me shtesa, por vetë sistemi i përzgjedh, ndërkohë që u mundësohen studime të
larta të gjithëve, por sipas meritës. Fazat dyditore pritet të vijojnë deri më
datë 28 tetor, ndërkohë që disa universitete kanë deklaruar se do të vijojnë të
pranojnë derisa të përmbushen kuotat e pranimit. Mjafton që studentët të jenë
të vëmendshëm ndaj portalit “U Albanian” në momentin që u shfaqet me të gjelbër
dega që ata preferojnë për t’u regjistruar, pasi pas dy ditësh e drejta digjet
duke i kaluar maturantit pasardhës.

 

Regjistrimet në
universitete e rretheve vazhdojnë deri në 27 tetor

 

Gjysma e kuotave
në universitetet publike në rrethe ishin bosh në momentin e hapjes së vitit të
ri akademik. Universiteti me numrin më të ulët të studentëve është ai i
Gjirokastrës, ku ishin regjistruar vetëm 30% e kuotës së përcaktuar.
Universiteti “Aleksandër Xhuvani” u hap me mbi 1 mijë vende bosh në vitet e
para. Ndërsa në auditorë po hynin studentët, në sekretari vazhdonte
regjistrimi. Skënder Topi, rektor i këtij universiteti, tha: “Kam një mesazh
për ju dhe për prindërit tuaj. Nuk do t’ju zhgënjejmë. Do të përpiqemi që t’ju
sigurojmë dije cilësore, ambiente bashkëkohore dhe transparencë maksimale”. Në
universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, ishin 693 vende të lira, por
rektorja atje shpreson që brenda datës 27 tetor, të gjitha vendet të
plotësohen. Kseanela Sotirovski, tha se “lista e pritësve është shumë e gjatë.
Numri i studentëve që kërkojnë të hyjnë është shumë i madh dhe besojmë, se deri
në datën 27 të gjitha kuotat do të plotësohen”. Rreth 800 vende të lira ishin
edhe në universitetin “Ismail Qemali” në Vlorë, nga 1900 kuota. Ndërsa
universiteti me numrin më të ulët të regjistrimeve është “Eqerem Çabej” në
Gjirokastër. Nga 1000 kuota, u regjistruan 350. Interesi më i ulët për
regjistrime është në degët gjuhë dhe qytetërimi grek, gjuha e kultura italiane
dhe matematika e fizika. Për të mbajtur hapur një klasë, duhen të paktën 10 studentë.
Rektori Bektash Mema shprehet: “Ne jemi universitet i vogël dhe do të ngelemi
të tillë, por ajo që pretendojmë ne është që ky universitet të jetë cilësor”.
Universiteti “Luigj Gurakuqi” kishte 1 000 vende të lira nga 2170 në total, por
në sekretari vijojnë regjistrimet.