Sot dita e parë e shkollës. Ministri Myqerem Tafaj uron 605 mijë fëmijë e nxënës. Brenda 30 shtatorit do të kompensohen librat

275

DAR: Si do të bëhet kompensimi i librave, kategoritë përfituese dhe datat e caktura  

Prindërit dhe nxënësit duhet të dorëzojnë deri në 30 shtator faturat e librave në drejtorinë e shkollës

Ditën e sotme nis viti i ri shkollor për arsimin parauniversitar në mbarë vendin. Pajisja me libra është një ndër pikat kryesore që çdo nxënës duhet të përmbushi për t’u ulur në bankat e shkollës për këtë vit. Pajisja me libra kërkon që çdo nxënës duhet të blejë librat dhe më pas do të vijë kompensimi për kategoritë përfituese sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Në lidhje me këtë gazeta “Telegraf” është interesuar dhe ka marrë informacione të hollësishme pranë Drejtorisë Arsimore Tiranë.

Kategoritë përfituese

Kompensimi i librave për disa kategori të caktuara do të bëhet sipas një udhëzimi të nxjerrë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës 11.07.2012. Në lidhje me afatet e përcaktuara dhe kategoritë përfituese ka sqaruar për “Telegraf”, Përgjegjësi i Sektorit Ekonomik dhe administratës Kalosh Ferhati. Sipas zotit Ferhati kategoritë përfituese që marrin kompensim 100 % janë: personat që kanë statusin e jetimit, familjet me ndihmë ekonomike, personat me aftësi të kufizuara. Ndërsa kategoritë që përfitojnë kompensim 50% janë: Nxënësit e 9- vjeçares prindërit e të cilëve marrin më pak se 30 mijë lekë dhe që nuk punojnë në shtet. Ndërsa kategori të tjera që marrin po 100% janë: pakicat kombëtare, romët të verbrit.

Procedura

Ndërkohë që për procedurën zoti Ferhati ka sqaruar se: “Shitësit duhet të pajisin nxënësit dhe prindërit me faturat e librave, pastaj këto të fundit duhet të dorëzojnë në drejtorinë e shkollës deri në 30 shtator faturën e blerjes së librave. Ndërsa më pas drejtoria e shkollës dorëzon deri në datën 10 tetor faturat në Drejtoritë Arsimore rajonale. Më pas këto i dorëzohen MASH dhe pritet që të bëhet pagesa”. Në lidhje me fillimin e pagesës ai ka sqaruar se afati për tërheqjen e lekëve për kompensim prindërit dhe nxënësit është deri në datën 30.03.2012.

______________________________________________________________________________________ 

MINISTRI TAFAJ URON NXËNËSIT: NDRYSHIM PROGRAMIT 9-VJEÇAR!

Këtë vit shkollor do të ulen për herë të parë në bankat e shkollës mbi 35 mijë fëmijë në mbarë vendin. Ndërkohë që, në të gjithë sistemin parauniversitar, përfshirë kopshtet dhe çerdhet ky numër shkon 605 mijë fëmijë e nxënës. Ashtu si çdo vit, kreu i arsimit, një ditë para startimit të vitit të ri shkollor, ka përcjellë urimin për të gjithë nxënësit dhe arsimtarët e sistemit parauniversitar. “Gjej rastin të uroj të gjithë fëmijët e kopshteve, nxënësit dhe mësuesit. Gëzuar dhe suksese në vitin e ri shkollor 2012-2013. Urimi i parë si gjithnjë shkon për ju vogëlush. Një urim për të gjithë ju nxënësit e klasave të tjera. Kam kënaqësinë të shpreh një urim për ju mësuese dhe mësues që meritoni mirënjohje dhe nderim”,-tha Tafaj. “Ky vit,-tha ministri i Arsimit,-do të jetë i mbushur me reforma.” Ato do të përfshijnë të gjitha kurrikulat e sistemit 9-vjeçar. Ndërkohë që, do të aplikohet për herë të parë, një ligj i standardeve evropiane në këtë sistem, i cili parashikon një ndarje ndryshe të cikleve, tekste të reja, por edhe një mënyrë të re të  emërimit të drejtuesve dhe mësuesve në shkolla. “Reforma në përmbajtjen e programeve, planeve mësimore dhe gjithë kurrikulës së arsimit 9-vjeçar, apo ajo çka ndryshe njihet si e gjithë paketa kurrikulare e arsimit bazë, do të jetë një diskutim i madh që do të shtrihet në çdo shkollë”,-theksoi ai. Ndërkohë, këtë vit prioritet do t’i jepet arsimit profesional. Do të hapen katër shkolla profesionale,  ndërkohë që, në degë të veçanta do të aplikohen bursa për të stimuluar të rinjtë që të frekuentojnë profesione që kanë filluar të lihen në harresë.

_________________________________________________________________________________________________

VITI I RI SHKOLLOR, 36 MIJË NXËNËS NË KLASË TË PARË

Sot në të gjitha institucionet e arsimit parauniversitar në vend çelin dyert e tyre për të nisur vitin e ri shkollor  2012-2013. Ky vit do jetë më i veçantë për 36 mijë nxënës që ulen për herë të parë në bankat e shkollës. Rreth 75 mijë do të jenë në kopshte, 385 mijë në arsimin bazë, 146 mijë në arsimin e mesëm. Ndërsa nga shifra e fundit 146 mijë, 21 mijë janë në arsimin profesional. Rreth 1500 janë fëmijë janë të regjistruar në arsimin parauniversitar, të emigrantëve të kthyer në Shqipëri. Për Drejtorinë e Arsimit Parauniversitar në Drejtorinë e Arsimit dhe Shkencës, Fatmir Vejsiu, ky vit starton me kushte më të mira për nxënësit e shkollave, ndërkohë që nuk mungojnë as risitë në procesin e mësimdhënies, ku tashmë ka filluar edhe puna për ndarjen e Gjuhës Shqipe nga Letërsia, ashtu siç porositi pak ditë më parë edhe kryeministri Berisha. “Janë rreth 140 shkolla të ndërtuara të reja dhe të rikonstruktuara që presin të hapin nesër dyert e tyre. Kemi startuar fuqishëm për hartimin e kurrikulës së arsimit bazë, e cila siç u tha edhe nga kryeministri ka nevojë të rregullohet në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha ai.  Ndonëse shkollat çelin dyert e tyre nesër, në shumë rrethe të vendit mungojnë tekstet shkollore, në përqindje të konsiderueshme. Por për këtë fenomen, ministria ka marrë masa që kudo që të shfaqet mungesa e teksteve shkollore në ditën e parë të shkollës, nuk do të mungojnë as sanksionet ndaj shtëpive botuese që shkelën kontratat.

_________________________________________________________________________________________________

MASH: NË 18 SHTATOR SHPALLET LISTA PARAPRAKE E FITUESVE TË MATURËS SHTETËRORE

Lista paraprake e fituesve të Maturës Shtetërore 2012 do të shpallet në datë 18 Shtator 2012, njoftoi sot ministria e Arsimit dhe Shkencës. Sipas saj, ftuesit në universitete për herë të parë sivjet do të kenë mundësi të regjistrohen on-line në programin e studimit pranë universitetit përkatës pa patur nevojën të shkojnë pranë sekretarive mësimore të universiteteve. Sivjet për herë të parë studentët kanë një mundësi më shumë se në vitet e kaluara. Një student fitues në fazën paraprake në njërën nga preferencat e zgjedhura me anë të Formularit A2, mund të regjistrohet përfundimisht në atë program dhe këtë mund ta realizojë gjatë aplikimit on-line duke klikuar mbi “Konfirmoj regjistrimin përfundimtar në preferencën e fituar”. Në datën 8 Tetor, kandidatët fitues fillojnë mësimet në universitet në programin, ku kanë fituar.