Rreth 45 mijë maturantë japin sot provimin e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë

680
Sigal

MAS: Ja risitë e Maturës Shtetërore 2014. Të hënën rezultatet e provimit të gjuhës së huaj

Sot 45,064 maturantë do të testojnë dijet e tyre në lëndën Gjuhë Shqipe dhe Letërsi, provim i detyruar ky i Maturës Shtetërore. Ndërsa të hënën, në 2 maj, pritet të dalin rezultatet e provimit të gjuhës së huaj. Këto janë bërë të ditura, në një njoftim për shtyp nga MAS, ndërkohë që jepen të tjera detaje për procesin e maturës shtetërore dhe risitë që e shoqërojnë atë. “Ministria e Arsimit dhe Sportit, për këtë provim, sikurse për të gjithë provimet e Maturës Shtetërore 2014, ka marrë të gjitha masat e nevojshme infrastrukturore, logjistike dhe mbështetëse, me qëllim garantimin e një procesi tërësisht normal dhe në përputhje me Rregulloren e Maturë Shtetërore 2014”, thuhet në njoftimin për shtyp.

 Risitë e Maturës 2014

Zv/ministrja e Arsimit znj. Nora Malaj ka cituar dhe disa nga risitë që MAS ka ndërmarrë në drejtim të miradministrimit të Maturës Shtetërore 2014:

– Mundësimi për herë të parë i shërbimit postar në paketimin e sigurisë dhe transportin e materialeve të provimit të MSH.

– Deklarimi për herë të parë i “cut off”, përpara provimit të MSH në 20% nga 10% që ishte.

– Vlerësimi i mesatares së 3 viteve në MSH nga 20 % në 26%.

– U krijua, gjithashtu për herë të parë një guidë e nominuar për çdo maturant (emër për emër) dhe u mundësua hapja e Zyrës së karrierës, e alternuar me Javën e inovacionit.

Detyrat e përfaqësuesve të MAS-it në monitorimin e provimit të detyruar të Maturës Shtetërore 2014:

1.  Të paraqiten në orën 06.00 në DAR/ZA për monitorimin e hedhjes së shortit, për shpërndarjen e administratorëve në qendrat e provimit;

2.  Të shoqërojnë kutinë së bashku me përgjegjësin e Administrimit të Provimit nga DAR/ZA në qendrën e provimit;

3.  Të monitorojnë hedhjen e shortit në qendrën e provimit për ndarjen e administratorëve në klasa;

4.  Të monitorojnë futjen e maturantëve, sipas listës së AKP-së, kontrollin për celularë dhe verifikimin e dokumentit të identifikimit;

5.  Të marrin masa për largimin e drejtorit të shkollës nga mjedisi i provimit, pas dorëzimit të çelësave të drejtorisë;

6.  Të mbajnë procesverbal për çdo parregullsi të vërejtur;

7.  Të monitorojnë hapjen e kutisë në prani të maturantëve të një klase;

8.  Të monitorojnë shpërndarjen e testeve, duke bërë kujdes që çdo maturant të pajiset me testin përkatës;

9.  Të monitorojnë procesin e sekretimit, duke bërë kujdes që të mos mbetet asnjë test i pa sekretuar;

10. Të monitorojnë procesin e mbledhjes së testeve, futjes në kuti, vendosjen e çdo procesverbali të mbajtur dhe vulosjen e kutisë;

11. Të shoqërojnë kutinë së bashku me PAP, nga qendra e provimit në DAR/ZA, duke e dorëzuar me procesverbal;

12. Të raportojnë në MAS pranë personave të ngarkuar;

13. Të raportojnë në momentin e mbylljes së shortit dhe fillimit të shpërndarjes së kutive;

14. Të raportojnë, pasi të gjithë maturantët janë futur në ambientet e provimit, shpërndarjen e testeve dhe fillimin e provimit;

15. Të raportojnë në momentin kur mbaron provimi dhe kur kutia me materiale është gati;

16. Të raportojnë pas dorëzimit të kutisë në DAR/ZA;

17. Pas mbylljes së provimit të dërgojnë me e-mail Raportin e monitorimit dhe ditën e hënë  ta dorëzojnë atë së bashku me procesverbalet e mbajtura (nëse ka) në MAS;

Shkeljet e rregullores, të patolerueshme

 “Nuk do të tolerohen shkelje dhe  çdo tentativë që do të rrezikojë sigurinë e këtij procesi, sikurse ka ndodhur në të shkuarën. Ju bëjmë me dije se, bazuar në Rregulloren e Maturës Shtetërore 2014, pas përfundimit të provimit të parë të Maturës, pas konstatimit të shkeljeve u bë menjëherë pezullimi për dy mësues, shoqëruar me mosnjohjen e provimit për të dy nxënësit, të cilët nuk zbatuan Rregulloren e Maturës Shtetërore. Ndaj, u bëjmë thirrje të gjithë maturantëve, mësuesve dhe prindërve që të angazhohen në këtë proces, duke zbatuar me rigorozitet të gjitha rregullat e Rregullores së Maturës Shtetërore”, paralajmëroi znj. Malaj.

UT: Reforma në arsimin e Lartë, në bashkëpunim me grupet e interesit

 Senati akademik i Universitetit të Tiranës kërkoi dje që reforma në arsimin e Lartë të kryhet në bashkëpunim me grupet e interesit. Për një reformë të plotë senati sugjeron të merren parasysh propozimet europiane për arsimin e lartë. Reforma në arsim po diskutohet këto muaj me palët e interesit dhe parashikon ndryshime strukturore, në kurrikula dhe në financimin e universiteteve.

 KURSE TRAJNIMI NË INDI PËR VITIN 2014-2015

 Në kuadrin e “Programit të Bashkëpunimit Ekonomik dhe Teknik (ITEC)”, Qeveria e Indisë i akordon palës shqiptare bursa për pjesëmarrje në kurse trajnimi afatshkurtra ose afatgjatë në institucionet indiane, për vitin 2014-2015. Aplikantët e interesuar për këto kurse duhet të plotësojnë kushtet e mëposhtme:

1. Të jenë punonjës të shërbimit civil, punonjës të sektorit publik ose privat;

2. Të kenë përvojë pune më shumë se 5 vjet;

3. Të kenë njohuri shumë të mira të gjuhës angleze;

4. Të jenë të aftë nga ana shëndetësore;

5. Të jenë të moshës 25-45  vjeç:

Shpenzimet e udhëtimit, të akomodimit dhe të ushqimit mbulohen nga qeveria indiane.

Aplikantët e interesuar (sipas modelit në website: www.itec.mea.gov.in) mund të dërgojnë online formularin e plotësuar në adresën elektronike të Ambasadës së Indisë në Rumani: www.embassyofindia.ro; [email protected]; [email protected];

Dokumentet e tjera të kërkuara për regjistrim si: diploma, rekomandime, 2 (dy) fotografi, etj, duhet të dërgohen me postë pranë Ambasadës së Indisë në Bukuresht, Rumani, në adresën e mëposhtme:

Embassy of India

183, Mihai Eminescu street

Sector-2

Bucharest

Rumania